Ceuta përballet me 60 mijë migrantë, 43 të vdekur
B.H./RTKlive
Autoritetet spanjolle kanë shpallur gjendje emergjente në enklavën e Ceutës, pasi rreth 60 mijë migrantë kanë mbërritur nga Maroku vetëm gjatë orëve të fundit, ndërsa të paktën 43 persona kanë humbur jetën duke u mbytur gjatë kalimit.
Presidenti i Ceutës, Juan Jesús Vivas, e cilësoi situatën si të papërballueshme.
“Vlerësimet flasin për rreth 60 mijë persona që kanë hyrë në orët e fundit, që përbëjnë rreth 70 për qind të popullsisë së Ceutës. Situata është e paqëndrueshme”, tha ai.
Qeveria spanjolle ka angazhuar njësi të ushtrisë për të përballuar krizën, ndërsa kryeministri Pedro Sánchez, gjatë një vizite në Ceuta, e cilësoi ngjarjen si “një sulm ndaj integritetit territorial të Spanjës”.
Sipas autoriteteve spanjolle, mbi 25 mijë migrantë janë kthyer tashmë në Marok. Procesi i kthimit po zhvillohet me ritëm të shpejtë, rreth 150 persona në minutë, në bashkëpunim me autoritetet marokene.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, reagoi duke i cilësuar pamjet nga Ceuta si të papranueshme.
“Nuk mund të lejojmë që dikush të hyjë në Bashkimin Evropian pa respektuar rregullat tona. Kalimet e rrezikshme duhet të ndalen menjëherë, rrjetet e kontrabandës duhet të çmontohen dhe kthimet duhet të kryhen me shpejtësi”, deklaroi ajo.
Kriza ka shkaktuar edhe tensione politike brenda Bashkimit Evropian. Italia ka hedhur idenë e pezullimit të përkohshëm të marrëveshjes Schengen me Spanjën, një propozim që është mbështetur edhe nga Finlanda. Si reagim, Madridi ka thirrur ambasadorin italian për të shprehur protestën e tij diplomatike.
Ndërkohë, në kufijtë e Ceutës dhe Melillas janë regjistruar përplasje mes migrantëve dhe forcave të sigurisë, ku janë përdorur edhe gurë. Policia marokene ka arrestuar rreth 30 persona gjatë incidenteve.
Gjatë vizitës së tij në Ceuta, kryeministri Sánchez u përball edhe me protesta nga qytetarët, të cilët kërkuan dorëheqjen e tij. Ai deklaroi se qeveria është e gatshme të shqyrtojë ndryshime në ligjin për emigracionin për të përshpejtuar procedurat e kthimit të migrantëve.























