Zjarret në Francë zbulojnë predha të Luftës së Dytë Botërore në një fshat
A.B|RTKLive
Zjarret në jug të Francës kanë zbuluar një depo me rreth 400 predha dhe mjete shpërthyese historike në fshatin Le Porge, njoftuan autoritetet lokale.
Shpërthimet gjatë zjarreve, që fillimisht u mendua se ishin nga bombolat e gazit, mund të kenë qenë predha të mbetura nga Lufta e Dytë Botërore, të cilat shpërthyen si pasojë e temperaturave të larta, tha komandanti lokal i zjarrfikësve për mediat franceze.
Më shumë se 100 shpërthime u dëgjuan gjatë natës së dytë të zjarrit, tha kryetari i komunës, Martial Zaninetti, për France Info, duke e krahasuar situatën me "tingullin e luftës".
Pas operacioneve të çminimit, shumica e banorëve janë rikthyer në shtëpitë e tyre, megjithëse kryetari i komunës tha se disa zona mbeten ende të ndaluara për qarkullim. Më shumë se 180 shtëpi në këtë zonë u shkatërruan nga zjarri.
"Kishte depo municionesh të varrosura në territorin e komunës sonë, por ne nuk e dinim këtë dhe ato shpërthyen", tha Zaninetti për France Info.
Ai tregoi se predhat fluturonin "majtas e djathtas" dhe se "madje njëra përshkoi një shtëpi".
Në një njoftim në Instagram të hënën, Zaninetti bëri të ditur se hyrja drejt oqeanit, një kampingu dhe fshatit La Jenny mbetet e ndaluar.
Sipas mediave franceze, armët e zbuluara ishin si gjermane ashtu edhe franceze dhe përfshinin predha mortajash dhe predha kundërtanke.
Zbulimi i tyre vjen pasi një zjarr pyjor përfshiu zonën e Gironde, i cili tashmë është vënë nën kontroll pas rreth 10 ditësh.
Fotografitë nga Le Porge të hënën tregonin familje që kërkonin mes rrënojave të djegura të shtëpive të tyre, raporton BBC.























