Negociatat për Hormuzin vazhdojnë, por tensionet mbeten të larta
Bardhyl Bajrami / RTK
Përpjekjet diplomatike për t’i ulur tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po shënojnë përparim, ndërsa ndërmjetësuesit rajonalë po punojnë për një marrëveshje të përkohshme.
Megjithatë, situata në Ngushticën e Hormuzit mbetet e brishtë, me kërcënime të vazhdueshme dhe lëvizje të kufizuara të transportit detar.
Ministria e Jashtme e Katarit njoftoi se draftet e një marrëveshjeje të mundshme mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit tashmë janë në qarkullim dhe se përpjekjet diplomatike ndodhen në një fazë të avancuar.
Sipas Katarit, bëhet fjalë për një zgjidhje të përkohshme diplomatike, megjithëse ende nuk ka bisedime të drejtpërdrejta mes Uashingtonit dhe Teheranit. Paralelisht, Irani po zhvillon negociata me Omanin për një marrëveshje të përkohshme, e cila do të rregullonte lëvizjen e anijeve në Ngushticën e Hormuzit për një periudhë deri në tre muaj.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se është shënuar progres në negociatat për garantimin e lundrimit të lirë në Hormuz, por se ende nuk është arritur marrëveshja përfundimtare.
Edhe sekretari i Thesarit, Scott Bessent, u shpreh optimist se një marrëveshje mund të arrihet shumë shpejt. Pas këtyre deklaratave, çmimi i naftës ra ndjeshëm, duke zbritur nën 80 dollarë për fuçi për herë të parë në disa javë.
Megjithatë, tensionet në rajon vazhdojnë. Një këshilltar ushtarak i udhëheqjes iraniane paralajmëroi se Teherani nuk do të lejojë kalimin e anijeve nëpër Ngushticën e Hormuzit jashtë korridorit të përcaktuar nga Irani dhe kërcënoi se anijet luftarake amerikane mund të bëhen objektiva nëse nuk respektojnë këto kushte.
Ndërkohë, analistët e transportit detar vlerësojnë se trafiku në këtë rrugë strategjike mbetet shumë i kufizuar, pavarësisht optimizmit të shprehur nga zyrtarët amerikanë.
Në Iran, debati për të ardhmen e marrëdhënieve me SHBA-në po intensifikohet. Ish-ministri i Jashtëm Mohammad Javad Zarif u bëri thirrje autoriteteve të shfrytëzojnë këtë moment për diplomaci, duke argumentuar se Teherani duhet ta përdorë Ngushticën e Hormuzit si mjet negociues, por pa e mbajtur të mbyllur në mënyrë që të mos izolojë më tej vendin në arenën ndërkombëtare.























