Irani dhe Omani arrijnë marrëveshje për itinerarin e anijeve në Hormuz
BKT
Rajoni dhe Bota

Irani dhe Omani arrijnë marrëveshje për itinerarin e anijeve në Hormuz

G.K/RTKlive

Irani dhe Omani kanë finalizuar një marrëveshje për koordinatat gjeografike të një rruge të propozuar për transportin detar përmes Ngushticës së Hormuzit, raporton Euronews.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, tha se të dyja vendet po përgatisin një deklaratë të përbashkët, e cila përfshin çështje teknike, ligjore, të sigurisë dhe mjedisore.

Marrëveshja lidhet edhe me insistimin e Teheranit për vendosjen e tarifave për kalimin, pasi Irani pretendon kontroll sovran mbi këtë rrugë ujore. Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Gjirit këmbëngulin se lundrimi duhet të mbetet i lirë, sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit.

“Me kusht që palë të caktuara të treta të mos e pengojnë procesin, po shqyrtohet dhe finalizohet gjithashtu një deklaratë e përbashkët e dy vendeve”, tha Baghaei, duke iu referuar SHBA-së si “palë e tretë”.

Ai theksoi se marrëveshja ndërmjet Iranit dhe Omanit nuk mund të garantojë sigurinë e lundrimit përmes Hormuzit për sa kohë që, sipas tij, mbeten në fuqi bllokada detare amerikane dhe veprimet kundër Iranit.

Mediat shtetërore iraniane raportuan se bisedimet përqendrohen në krijimin e një “korridori të mesëm” përmes ngushticës, i cili do të kontrollohej nga të dyja vendet.

Sipas tyre, marrëveshja nuk do të sjellë menjëherë rihapjen e ngushticës, ndërsa Teherani ka deklaruar se kjo varet nga ndryshimi i sjelljes së SHBA-së.

Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë pjesë e negociatave dhe se ato “po ecin shumë mirë”.

“Ngushtica do të hapet shumë shpejt, ose ata do të goditen shumë rëndë dhe pastaj ngushtica do të hapet”, tha Trump.

Ngushtica e Hormuzit është një rrugë e rëndësishme për tranzitin e energjisë, përmes së cilës kalon afërsisht një e katërta e tregtisë globale të naftës në rrugë detare. / Burimi: Euro News


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota