Ukraina po evakuon më shumë se 500 fëmijë dhe të rinj nga Kramatorsk
Sh.Ç/RTKlive
Në shtatë ditët e fundit, Kievi dhe rajoni përreth pësuan deri në tre sulme masive. Vetëm në incidentin e sonte, të paktën 17 persona u vranë dhe më shumë se 50 u plagosën rëndë. Modeli i sulmeve ruse është saktësisht i njëjtë - ato zgjasin disa orë, së pari synojnë objektivat me një mori dronësh dhe më pas nisin një sulm me raketa balistike.
Përkeqësimi i situatës së sigurisë në rajonin e Donetskut ka çuar në vendimin për evakuimin e 525 fëmijëve dhe të rinjve nga qyteti i Kramatorskut dhe fshatrat përreth, pranë vijës së frontit me forcat ruse.
Guvernatori ushtarak i Donetskut, Vadim Filashkin, deklaroi se ekspozimi i fëmijëve ndaj sulmeve të vazhdueshme është i papranueshëm dhe se, megjithëse vendimi është i vështirë, ai është i domosdoshëm për sigurinë e tyre.
Sipas autoriteteve, 59 të mitur po largohen nga Krasnotorka, 140 nga Bilenke dhe 326 nga Kramatorsku. Evakuimi përfshin fëmijë nga 424 familje.
Kramatorsku dhe zona e Slovjanskit konsiderohen ndër bastionet e fundit të rëndësishme të kontrolluara nga Ukraina në rajonin e Donetskut. Qyteti ndodhet më pak se 15 kilometra nga vija e luftimeve dhe është përballur me rritje të sulmeve ajrore ruse.
Ndërkohë, Ukraina ka paralajmëruar për vështirësi në mbrojtjen ajrore, veçanërisht ndaj raketave balistike ruse. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kërkuar më shumë sisteme kundërraketore dhe mbështetje nga aleatët perëndimorë.
Sulmet e fundit ruse kanë prekur edhe Kievin, ku një person u vra dhe disa të tjerë u plagosën pas sulmeve me raketa gjatë natës. Autoritetet ukrainase raportuan dëme në ndërtesa banimi, depo dhe objekte infrastrukturore.























