Zelanda e Re nën pushtetin e acarit
Sh.Ç/RTKlive
Një valë e fuqishme të ftohti polar ka prekur Ishullin Jugor të Zelandës së Re, duke sjellë reshje të dendura dëbore, temperatura të ulëta dhe vështirësi të mëdha në qarkullim. Rrugët janë mbuluar nga akulli, ndërsa autoritetet u kanë kërkuar qytetarëve të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme.
Qyteti i Dunedinit është përballur me reshje të pazakonta dëbore, duke shkaktuar probleme në trafik dhe pezullimin e transportit publik. Të gjitha linjat e autobusëve në qytet janë ndalur përkohësisht, ndërsa policia ka paralajmëruar banorët për rrezikun nga rrugët e rrëshqitshme, raporton Reuters.
Moti i keq ka ndikuar edhe në transportin detar. Trageteve që lidhin Ishullin Jugor me atë Verior u është ndërprerë shërbimi për shkak të erërave të forta dhe dallgëve të larta.
Sipas shërbimit meteorologjik të vendit, temperaturat e ulëta dhe reshjet e dëborës pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim. Meteorologët paralajmërojnë se bora dhe breshëri mund të arrijnë deri pranë nivelit të detit në pjesët lindore të Ishullit Jugor.























