Abdul El-Sayed fiton zgjedhjet paraprake për Senatin në Miçigan
G.K/RTKlive
Abdul El-Sayed ka fituar zgjedhjet paraprake të Partisë Demokratike për Senatin e Shteteve të Bashkuara në Miçigan, duke mposhtur me rezultat të ngushtë kongresisten Haley Stevens, raportoi Associated Press (AP).
Me këtë fitore, El-Sayed, një ish-zyrtar i shëndetit publik dhe përfaqësues i krahut progresist të Partisë Demokratike, siguroi nominimin për zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit, ku do të përballet me republikanin Mike Rogers, ish-anëtar i Kongresit.
Sipas AP-së, gara për vendin vakant në Senat konsiderohet një nga më të rëndësishmet në vend, pasi mund të ndikojë në balancën e pushtetit në Senatin amerikan.
Pas pranimit të humbjes, Haley Stevens i dha mbështetjen El-Sayedit, ndonëse gjatë fushatës ajo kishte mbështetjen e establishmentit demokrat, përfshirë senatorin në largim Gary Peters, pensionimi i të cilit hapi garën për këtë post.
Gjatë fjalimit të fitores, El-Sayed e cilësoi rezultatin si një "tërmet politik", duke cituar legjendën e boksit Muhammad Ali.
"Në fjalët e Muhammad Aliut, ne e tronditëm botën", tha ai.
Associated Press thekson se fitorja e El-Sayed përfaqëson një tjetër sukses për krahun progresist të demokratëve, i cili ka fituar terren gjatë këtij cikli zgjedhor. Agjencia njoftoi fituesin pasi u konfirmua se votat e mbetura për t'u numëruar në qarqet Wayne dhe Oakland nuk ishin të mjaftueshme që Stevens të përmbyste rezultatin.























