Nagasaki përkujton 81-vjetorin e viktimave të bombës atomike
B.H./RTKlive
Japonia ka shënuar 81-vjetorin e bombardimit atomik të Nagasakit, tri ditë pas përkujtimit të viktimave të Hiroshimës.
Ceremonia përkujtimore u mbajt në Parkun e Paqes në Nagasaki, ku në orën 11:02 sipas kohës lokale u mbajt një minutë heshtje, në të njëjtin moment kur më 9 gusht 1945 mbi qytet u hodh bomba atomike “Fat Man”.
Bomba me plutonium shkaktoi vdekjen e rreth 74 mijë njerëzve. Pasojat e shpërthimit dhe ekspozimit ndaj rrezatimit u ndjenë për dekada, ndërsa shumë prej të mbijetuarve, të njohur si “hibakusha”, vuajtën më vonë nga sëmundje të rënda dhe forma të ndryshme të kancerit.
Në ceremoninë e sivjetme morën pjesë kryeministrja japoneze Sanae Takaichi dhe përfaqësues nga 98 vende.
Kryetari i Nagasakit, Shiro Suzuki, dorëzoi listën e përditësuar të viktimave të bombardimit. Dokumenti përmban tashmë 204.708 emra, ndërsa vetëm gjatë vitit të fundit listës i janë shtuar 2.773 persona të tjerë që kanë ndërruar jetë.
Në fjalimin e tij për paqen, Suzuki bëri thirrje për një angazhim më të madh ndërkombëtar kundër armëve bërthamore. Ai i cilësoi ato si një “e keqe absolute”, duke kundërshtuar idenë se armët atomike mund të konsiderohen një “e keqe e domosdoshme”.
Kryetari i Nagasakit paralajmëroi edhe për rrezikun e konceptit të parandalimit bërthamor, duke e cilësuar atë si jashtëzakonisht të brishtë dhe të rrezikshëm.
Suzuki iu referua gjithashtu dështimit të konferencës së rishikimit të Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, të mbajtur në maj, dhe i bëri thirrje Japonisë që të marrë pjesë në takimin për Traktatin për Ndalimin e Armëve Bërthamore, i planifikuar për në nëntor.
Nga ana e saj, kryeministrja Sanae Takaichi ritheksoi përkushtimin e Japonisë ndaj tre parimeve jo-bërthamore: mosprodhimit, mospasjes dhe moslejimit të armëve bërthamore në territorin japonez.
Ajo tha se Japonia do të vazhdojë të punojë në mënyrë “realiste dhe praktike” për krijimin e një bote pa armë bërthamore.
Përkujtimi i sivjetmë vjen në një periudhë të tensioneve të shtuara ndërkombëtare, të nxitura nga lufta në Ukrainë dhe zhvillimet e vazhdueshme në Lindjen e Mesme, duke rikthyer në vëmendje paralajmërimet për rrezikun e përdorimit të armëve bërthamore.
Bombardimi i Nagasakit më 9 gusht 1945 ishte sulmi i dytë atomik në histori, pas atij të Hiroshimës më 6 gusht. Tre ditë më vonë, Japonia njoftoi dorëzimin, duke i dhënë fund Luftës së Dytë Botërore.























