Evropa Perëndimore me verën më të nxehtë, mbi 1.2 milionë hektarë në zjarre
BKT
Foto ilustrim
Rajoni dhe Bota

Evropa Perëndimore me verën më të nxehtë, mbi 1.2 milionë hektarë në zjarre

M.P. / RTKlive

Dy muajt e parë të verës në Evropën Perëndimore kanë qenë më të nxehtët ndonjëherë në histori. Kështu ka bërë të ditur shërbimi klimatik i Bashkimit Evropian, “Copernicus”.

Sipas “Copernicus”, korriku ka qenë gjithashtu muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë për oqeanet e botës jashtë zonave polare.

Evropa është përballur këtë verë me një varg valësh të rrezikshme të të nxehtit, ndërsa për këtë javë priten sërish temperatura të larta. Të dhënat e përpiluara nga “Bloomberg” tregojnë se temperaturat ekstreme kanë shkaktuar më shumë se 25 mijë vdekje në Evropë këtë vit.

Kontinenti evropian po ngrohet më shpejt se çdo kontinent tjetër në botë, ndërsa mbetet veçanërisht i ekspozuar ndaj temperaturave ekstreme për shkak të infrastrukturës së vjetër dhe mungesës së sistemeve të ajrit të kondicionuar.

Sipas Samantha Burgess, drejtueses strategjike për klimën në Qendrën Evropiane për Parashikimet e Motit në Afat të Mesëm, temperaturat përvëluese dhe thatësirat e vazhdueshme gjatë qershorit dhe korrikut kanë krijuar një “spirale të motit të nxehtë”.

“Ndërsa tokat thahen, ato humbasin aftësinë për të siguruar ftohje natyrore, duke bërë që nxehtësia të grumbullohet më lehtë”, ka thënë Burgess, duke e cilësuar situatën si një shembull të qartë se si ndryshimet klimatike po përkeqësojnë ekstremet e temperaturave.

Shkencëtarët kanë konstatuar gjithashtu se lagështia e tokës në Evropën Perëndimore gjatë korrikut 2026 ishte dukshëm më e ulët se në korrikun e vitit 2022, kur rajoni u përball me një thatësirë ekstreme.

Në Francë, Spanjë, si dhe në pjesë të Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, janë regjistruar mungesa jashtëzakonisht të mëdha, deri në nivele rekord, të reshjeve dhe lagështisë së tokës.

Këto kushte kanë krijuar terren të favorshëm për përhapjen e zjarreve masive në Evropë. Sipas një raporti të Bashkimit Evropian të publikuar më 6 gusht, deri tani janë djegur më shumë se 1.23 milionë hektarë tokë, kryesisht në Spanjë, Francë dhe Itali, ndërsa qindra mijëra njerëz janë detyruar të largohen nga zonat e rrezikuara.

Zjarret kanë ndikuar edhe përtej zonave të prekura drejtpërdrejt, duke rritur emetimet dhe duke përkeqësuar cilësinë e ajrit në pjesë të mëdha të kontinentit.

Laurence Rouil, drejtoreshë e Shërbimit të Monitorimit të Atmosferës në “Copernicus”, ka paralajmëruar se zjarret e mëdha prodhojnë sasi të konsiderueshme tymi, i cili ngrihet në atmosferë dhe mund të transportohet në distanca të mëdha.

“Zjarret më të mëdha prodhojnë më shumë tym dhe e çojnë atë më lart në atmosferë, që do të thotë se ai mund të udhëtojë në distanca më të mëdha dhe të ndikojë në cilësinë e ajrit jo vetëm në zonën lokale, por në një rajon shumë më të gjerë”, ka thënë Rouil.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota