Trump kërkon shkurtimin e vaksinave për fëmijët në SHBA
Sh.Çoçaj/RTKlive
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që synon të ndryshojë rekomandimet federale për vaksinimin e fëmijëve, duke i kufizuar vaksinat rutinë të rekomanduara për të gjithë fëmijët në 11 imunizime bazë.
Vendimi, i shpallur shënon një ndryshim të rëndësishëm në politikën amerikane të vaksinimit dhe mbështet përpjekjet e administratës Trump për ta afruar kalendarin amerikan me rekomandimet e disa vendeve të tjera të zhvilluara.
Trump e cilësoi ndryshimin si një përpjekje për të vendosur një standard më të lartë në kujdesin shëndetësor për fëmijët.
“Me efekt të menjëhershëm, administrata ime po njeh rekomandimet e vaksinimit të fëmijëve të standardit të artë vetëm për 11 vaksina bazë kundër sëmundjeve më serioze dhe më të rrezikshme, së bashku me MMR-në, e cila shpresojmë të ndahet”, tha Trump gjatë ceremonisë së nënshkrimit, raporton Reuters.
Një nga ndryshimet më të debatueshme lidhet me vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, shytat dhe rubeola. Urdhri mbështet administrimin e këtyre vaksinave veçmas dhe në vizita të ndryshme, në vend të përdorimit të vaksinës së kombinuar.
Trump e lidhi në mënyrë të përsëritur këtë çështje me rritjen e diagnozave të autizmit në SHBA, pavarësisht se provat shkencore nuk kanë gjetur lidhje shkakësore mes vaksinave dhe autizmit.
“Ka disa grupe që praktikisht nuk kanë probleme me autizmin. Janë grupe që nuk janë shumë të përfshira në botën e vaksinave, kështu që diçka nuk shkon”, deklaroi presidenti amerikan.
Ndryshimet përkojnë me politikën e Sekretarit amerikan të Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., i cili prej kohësh ka mbështetur një rishikim të kalendarit të vaksinimit. Në një vlerësim të Departamentit të Shëndetësisë, administrata argumentoi se SHBA-ja rekomandon më shumë vaksina për fëmijët sesa vendet e tjera të zhvilluara dhe propozoi që 11 vaksina të mbeten në kategorinë e vaksinave rutinë.
Megjithatë, urdhri është përballur me kundërshtime të forta nga mjekë dhe ekspertë të shëndetit publik. Kritikët thonë se kalendari aktual amerikan është ndërtuar mbi dekada kërkimesh dhe të dhënash epidemiologjike dhe se reduktimi i vaksinimeve rutinë mund të rrisë numrin e fëmijëve të pambrojtur ndaj sëmundjeve të parandalueshme.
Ekspertët kanë kundërshtuar gjithashtu pretendimet që e lidhin vaksinimin me autizmin, duke theksuar se nuk ka prova të reja shkencore që justifikojnë një lidhje të tillë.
Urdhri i ri nuk do të thotë se vaksinat që nuk përfshihen në listën e 11 imunizimeve do të zhduken. Administrata ka deklaruar se vaksinat do të mbeten të qasshme dhe se mjekët dhe prindërit do të mund të marrin vendime individuale për fëmijët me rrezik më të lartë.
Ndërkohë, çështja e vaksinimit të nxënësve mbetet pjesërisht nën autoritetin e shteteve amerikane. Shtetet kanë kompetencë të përcaktojnë kërkesat për vaksinim për regjistrimin në shkolla, ndaj urdhri federal pritet të sjellë përplasje të reja ligjore dhe politike.
Ndryshimi vjen pas përpjekjeve të mëparshme të administratës për të ngushtuar kalendarin federal të vaksinimit. Urdhri i 29 majit 2026 kishte udhëzuar Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe Komitetin Këshillues për Praktikat e Imunizimit (ACIP) që të rishikonin rekomandimet amerikane në përputhje me vlerësimin e Departamentit të Shëndetësisë.
Debati pritet të vazhdojë mes administratës Trump, komunitetit mjekësor dhe autoriteteve shtetërore, ndërsa SHBA-ja përballet njëkohësisht me shqetësime mbi rënien e mbulimit me vaksinim dhe rikthimin e sëmundjeve të parandalueshme.























