Uji nga ujësjellësi i Gostivarit së shpejti i pijshëm
Besnik Iseni/ RTK
Cilësia e ujit në ujësjellësin e Gostivarit është përmënuar dukshëm dhe është afër mundësisë së përdorimit sigurt, bëri të ditur sot Shtabi Lokal i Krizave, në Gostivar.
Sipas tyre, vendimi për heqjen e ndalimit të përdorimit të ujit të pijshëm duhet të vijë këtë javë, pas një vlerësimi përfundimtar të anëtarëve të Shtabit Qendror të Krizave.
"Matjet e fundit janë bërë për sasinë e klorit në ujë, që tre matjet e fundit janë në suaza të normales në bazë të sasisë së lejuar të klorit, andaj dhe shpresojmë që këto ditë, nesër apo pasnesër të tubohet shtabi qendror dhe të japim njoftim për opinionin se uji në Gostivar definitivisht është i pijshëm", tha Zudi Xhelili, anëtar i shtabit lokal të krizës në Gostivar.
Që nga data 17 korrik, me vendim të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë është ndaluar përdorimi i ujit për pije nga ujësjellësi i Gostivarit, pasi ekzistonin dyshime se uji mund të jetë i ndotur dhe i pasigurt për konsum.
Ndërkohë, nga Shtabi Lokal i Krizës bëjnë të ditur se furnizimi me ujë teknik po realizohet në katër zona të qytetit, ndërsa uji i pijshëm i ambalazhuar vazhdon të shpërndahet në pesë pika të qytetit.
Avokati i Popullit ka hapur lëndë për ndotjen e ujit në Gostivar.
Sipas Avokatit të Popullit, qëllimi është që të përcaktohet se si është cenuar e drejta e qytetarëve për ujë të pastër dhe të sigurt për pije, pasi më shumë se 4.000 banorë kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të simptomave të helmimit.























