Kushner në Izrael pas bisedimeve me Hamasin për paqen në Gaza
A.B/RTKlive
I dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për Lindjen e Mesme, Jared Kushner, ka mbërritur në Izrael, ku pritet të takohet të hënën me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Kjo vjen pasi Kushner zhvilloi bisedime të rralla me Hamasin për të diskutuar zbatimin e planit të paqes për Gazën, të mbështetur nga SHBA-ja.
Muajin e kaluar, Bordi i Paqes i Trumpit tha se kishte arritur marrëveshje për “çarmatimin e plotë” të Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura në Gaza. Javën e kaluar, Izraeli hodhi poshtë planin 15-pikësh të Trumpit, i cili parashikon gjithashtu tërheqjen e trupave izraelite dhe rindërtimin e Gazës nën një administratë të re civile palestineze.
Tetë vende myslimane lëshuan të dielën një deklaratë, duke dënuar refuzimin e planit nga Izraeli.
Trump drejton Bordin e Paqes, i krijuar fillimisht si një organizatë ndërkombëtare për vendosjen e paqes në Gaza, por që më vonë u zgjerua për të përfshirë konfliktet në mbarë botën.
Një zyrtar palestinez i tha BBC-së se Kushner u takua të dielën në Egjipt me një delegacion të udhëhequr nga lideri i ri i Hamasit, Khalil al-Hayya.
Hamasi, në një deklaratë të mëvonshme, u bëri thirrje ndërmjetësuesve dhe Bordit të Paqes që ta “detyrojnë” Izraelin të miratojë udhërrëfyesin për hapat e ardhshëm.























