Përshkallëzohet lufta tregtare mes SHBA-së dhe Kanadasë
BKT
Rajoni dhe Bota

Përshkallëzohet lufta tregtare mes SHBA-së dhe Kanadasë

Luan Qorraj /RTK

Lufta tregtare dhe retorika mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë po përshkallëzohen, pas vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave të reja ndaj mallrave kanadeze.

Pas dështimit të negociatave ekonomike javën e kaluar, Trump ka njoftuar tarifa të reja, përfshirë një tarifë prej 50 për qind për automjetet, kamionët dhe pjesët e këmbimit të industrisë kanadeze të automobilave.

Në përgjigje, zyrtarët në Otavë kanë paralajmëruar vendosjen e tarifave ndaj mallrave amerikane, duke deklaruar se kundërpërgjigjja do të jetë “dollarë me dollarë”.

Kryeministri kanadez, Mark Carney, ka thënë se Kanadaja nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të kundërpërgjigjet ndaj masave amerikane. Sipas tij, politikat e Trump rrezikojnë industritë kryesore kanadeze, përfshirë sektorin e automobilave.

SHBA-ja dhe Kanadaja kanë qenë për dekada partnerë të ngushtë tregtarë dhe politikë, por marrëdhëniet mes dy vendeve janë tensionuar ndjeshëm gjatë vitit të fundit.

Ekspertët paralajmërojnë se përshkallëzimi i konfliktit tregtar mund të rrezikojë dhjetëra mijëra vende pune, veçanërisht në industritë e rënda, dhe të dëmtojë tregtinë dypalëshe, e cila kap vlerën e më shumë se 1.6 trilion dollarëve në vit.

Megjithatë, ekonomistë dhe ekspertë të tregtisë vlerësojnë se konflikti mes dy vendeve mund të shmanget dhe u bëjnë thirrje Uashingtonit dhe Otavës që të rikthehen në tryezën e negociatave dhe të gjejnë një zgjidhje të përbashkët.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota