Chelsea po shqyrton mundësinë e transferimit të Emiliano Martinez
BKT
Sport

Chelsea po shqyrton mundësinë e transferimit të Emiliano Martinez

Uran Krasniqi / RTKLive

Chelsea mund të hyjë në garë për transferimin e portierit argjentinas Emiliano Martinez nga Aston Villa, ndërsa trajneri Xabi Alonso thuhet se është i hapur ndaj mundësisë për ta sjellë atë në “Stamford Bridge”.

Drejtuesit e Chelseat po e shqyrtojnë seriozisht situatën e Martinez, në një kohë kur klubi duhet të vendosë nëse do të vazhdojë t’i besojë plotësisht Robert Sanchez.

Tridhjetë e tre vjeçari argjentinas është në kërkim të një klubi të ri, ndërsa Aston Villa është e gatshme ta lejojë largimin e tij për një shumë më të vogël se dhjetë milionë funte.

Emri i portierit argjentinas ishte diskutuar edhe gjatë verës, para fillimit të sezonit të ri në Premier League. Situata është rikthyer në vëmendje pas paraqitjes jo bindëse të Sanchez në fitoren 3:2 ndaj Fulham në ndeshjen e parë të sezonit.

Chelsea deri më tani ka treguar besim të madh te Sanchez, ndërsa plani fillestar ishte që spanjolli të ishte portieri i parë, me njëzet e një vjeçarin Mike Penders si alternativë.

Megjithatë, disa persona brenda klubit besojnë se do të ishte rrezik që skuadra të mos afronte një portier tjetër me përvojë para mbylljes së afatit kalimtar.

Chelsea ka shqyrtuar më herët edhe mundësinë e transferimit të Mike Maignan dhe Diogo Costas, por Martinez paraqitet si një opsion më i përballueshëm dhe me përvojë të madhe në Premier League dhe në futbollin ndërkombëtar.

Nga ana tjetër, klubi nuk dëshiron të pengojë zhvillimin e Penders, të cilin e konsideron si një portier të rëndësishëm për të ardhmen.

Martinez po u ofrohet gjithashtu klubeve në Arabinë Saudite, MLS dhe Evropë. Edhe Tottenham raportohet se ka pasur mundësinë ta transferojë atë, ndërsa portieri argjentinas do të preferonte të vazhdonte karrierën në Premier League.

Juventus kishte shqyrtuar më herët mundësinë e një marrëveshje, por transferimi nuk u realizua.