177 të vdekur dhe mbi 1,300 të zhdukur nga përmbytjet në Nepal dhe Tibet
Bardhyl Bajrami /RTK
Një operacion i madh kërkim-shpëtimi është duke u zhvilluar në zonën kufitare mes Nepalit dhe Tibetit, pas përmbytjeve të befasishme dhe rrëshqitjeve masive të tokës që shkatërruan banesa dhe morën me vete ura. Mbi 1.300 persona rezultojnë të zhdukur, ndërsa numri i viktimave në Nepal ka arritur në 177, me ekipet e shpëtimit që përballen me reshje të vazhdueshme dhe terren të vështirë.
Përmbytjet e befasishme dhe rrëshqitjet e tokës kanë shkaktuar një katastrofë të rëndë në zonën kufitare mes Nepalit dhe Tibetit. Në Nepal, policia ka njoftuar se deri tani janë gjetur 177 trupa, ndërsa 33 persona po marrin trajtim mjekësor. Mbi tremijë policë janë angazhuar për mbështetjen e operacioneve të shpëtimit.
Autoritetet nepaleze raportojnë gjithashtu 826 persona të zhdukur, mes tyre 529 turistë. Një grup turistik që operon në zonë ka deklaruar se 47 persona, përfshirë guida dhe klientë, kanë humbur kontaktin që prej përmbytjeve.
Në anën tibetiane, sipas transmetuesit shtetëror kinez CCTV, 558 persona janë të zhdukur, përfshirë 260 shtetas të huaj, ndërsa tre persona janë konfirmuar të vdekur. Nuk është e qartë nëse shifrat e Nepalit dhe Tibetit përfshijnë persona të njëjtë.
Mes të zhdukurve janë edhe shumë shtetas të huaj. Nepali ka bërë të ditur se bëhet fjalë për më shumë se 100 turistë nga India, 54 nga Shtetet e Bashkuara dhe 33 nga Mbretëria e Bashkuar.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së, përmbytjet u shkaktuan nga shembja e një mase akullnajore dhe rrjedha e mbetjeve, duke sjellë pasoja katastrofike në zonat e banuara më poshtë.
Nepali ka angazhuar rreth 2.000 pjesëtarë të ushtrisë në operacionet tokësore dhe ajrore të kërkim-shpëtimit. Autoritetet po sigurojnë gjithashtu trajtim mjekësor, strehim të përkohshëm dhe ushqime për banorët e zhvendosur, ndërsa po punohet për rikthimin e rrugëve, furnizimit me ujë, energjisë elektrike dhe komunikimeve.
Operacionet në Tibet po vështirësohen nga kushtet e pasigurta atmosferike dhe terreni i largët malor. Ndërkohë, parashikimet për reshje të reja në veriun e Nepalit gjatë ditëve në vijim rrisin shqetësimet se qasja në zonat e prekura mund të bëhet edhe më e vështirë dhe se numri i viktimave mund të rritet.























