37 të vdekur e qindra të evakuuar pas sulmit në një depo pranë Kievit
BKT
Foto| Reuters
Rajoni dhe Bota

37 të vdekur e qindra të evakuuar pas sulmit në një depo pranë Kievit

A.B|RTKlive

Tridhjetë e shtatë persona kanë humbur jetën dhe rreth 400 të tjerë janë evakuuar pas një sulmi me dron rus, i cili shkaktoi një shpërthim në një depo në rajonin e Kievit, të premten në mbrëmje.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se shpërthimi ka dëmtuar ndërtesa banimi dhe një qendër për kujdesin ndaj të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuara. Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar nëse në objekt po ruheshin municione.

Sipas kreut të rajonit, Tymur Tkachenko, 42 persona janë plagosur, përfshirë katër fëmijë. Operacionet e kërkim-shpëtimit kanë vijuar gjatë së shtunës në mëngjes në distriktin e Buchas.

Zelensky shkroi në platformën X se rregullat janë të qarta dhe se municionet nuk duhet të ruhen pranë shtëpive apo ndërtesave të tjera të banimit. Ai shtoi se do të nxirren përgjegjësitë përkatëse.

Më shumë se 300 pjesëtarë të shërbimeve emergjente janë angazhuar në fshatin Myla, ku ndër objektet e dëmtuara ishte edhe një qendër për të moshuar dhe persona me aftësi të kufizuara.

“Është hapur procedurë penale nën dyshimin për neglizhencë zyrtare”, tha Zelensky.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës njoftoi se po shqyrton ligjshmërinë e vendosjes dhe ruajtjes së materialeve shpërthyese pranë ndërtesave të banimit. Hetimi do të përfshijë edhe veprimet e zyrtarëve që kanë marrë vendimet përkatëse, raporton BBC.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota