Sulm me thikë në Nju Jork, vritet një 32-vjeçare, policia qëllon sulmuesen
B.H./RTKlive
Një grua 49-vjeçare ka sulmuar me thikë dy persona në Times Square të Nju Jorkut, duke shkaktuar vdekjen e një gruaje 32-vjeçare dhe plagosjen e një burri 68-vjeçar. Sulmuesja më pas është qëlluar për vdekje nga policia.
Ngjarja ka ndodhur të hënën, pak para orës 16:30, pranë një stacioni policor, përballë ndërtesës One Times Square, në një nga zonat më të frekuentuara nga turistët në Nju Jork.
Sipas komisioneres së policisë së Nju Jorkut, Jessica Tisch, gruaja kishte nxjerrë dy thika nga një çantë dhe kishte sulmuar fillimisht një 68-vjeçar, i cili sapo kishte dalë nga stacioni i metrosë dhe po priste të kalonte rrugën me bashkëshorten e tij.
Pak sekonda më vonë, ajo sulmoi edhe një grua 32-vjeçare.
Sipas autoriteteve, të dy viktimat u dërguan në spital. Gruaja 32-vjeçare vdiq nga plagët, ndërsa 68-vjeçari është në gjendje stabile.
Policët u përpoqën për disa minuta ta bindnin 49-vjeçaren që të hiqte dorë nga thikat. Ata përdorën edhe një pajisje elektroshoku, por ajo nuk u ndal dhe filloi të afrohej drejt policëve duke mbajtur thikat.
Dy policë më pas qëlluan ndaj saj. Gruaja mori plagë dhe, pavarësisht ndihmës së parë të dhënë nga zyrtarët, ndërroi jetë, raportojnë mediat amerikane.
Sipas policisë, gruaja kishte pasur më herët kontakte me autoritetet për disa incidente në vitet 2018 dhe 2019, por nuk kishte qenë e arrestuar.
Policia po heton motivin e sulmit, por autoritetet kanë thënë se deri tani nuk ka prova që ngjarja të ketë qenë akt terrorist.























