Gjermania akuzon Rusinë për operacione hibride në Evropë
BKT
Rajoni dhe Bota

Gjermania akuzon Rusinë për operacione hibride në Evropë

Bardhyl Bajrami / RTK

Gjermania thotë se Rusia qëndron pas sulmit me dron në aeroportin e Leipzigut, muajin e kaluar, duke e cilësuar atë si pjesë të operacioneve hibride ruse në Evropë.

Berlini ka paralajmëruar masa ndaj Moskës, ndërsa NATO ka shprehur solidaritet të plotë me Gjermaninë.

Më 4 gusht, në aeroportin Leipzig/Halle në Gjermaninë lindore u zbulua një dron që transportonte një pajisje shpërthyese, pranë aeroplanëve ukrainas të transportit. Pajisja nuk shpërtheu, pasi detonatori dyshohet se kishte defekt. Hetuesit dyshojnë gjithashtu se një dron i dytë është përplasur me një aeroplan transporti, ndërsa një i tretë u gjet pranë aeroportit rreth dhjetë ditë më vonë.

Ministri i Brendshëm gjerman Alexander Dobrindt tha se incidenti ndjek “modelin e mirëpërcaktuar të operacioneve hibride ruse në Evropë”, duke paralajmëruar se Gjermania mund të jetë sërish objektiv. Rusia ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje në incidente të tilla.

Aeroporti Leipzig/Halle përdoret nga ushtria gjermane dhe aleatët e NATO-s për transportin e pajisjeve ushtarake, ndërsa shërben edhe si bazë për kompaninë ukrainase Antonov Airlines, e cila transporton pjesën më të madhe të ngarkesave ajrore të Ukrainës.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm Johann Wadephul tha se do të urdhërojë mbylljen e konsullatës ruse në Bon, ndërsa Gjermania do të ndërpresë edhe kontratën për Shtëpinë Ruse në Berlin.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se aleanca “qëndron në solidaritet të plotë me Gjermaninë”, duke shtuar se “dëshmitë janë të qarta”. Çështja pritet të diskutohet edhe në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së në Irlandë.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota