Irani sulmon baza amerikane në Lindje të Mesme
Luan Qorraj / RTK
Forcat iraniane kanë sulmuar baza amerikane në pjesë të ndryshme të Lindjes së Mesme, duke lëshuar fluturake pa pilot dhe raketa balistike drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, Kuvajtit, Irakut, Jordanisë dhe Bahreinit.
Edhe pse shumica e sulmeve u ndaluan nga mbrojtja ajrore, ka njoftime të pakonfirmuara për goditje në disa baza, por pa raporte për viktima.
Sipas Teheranit, sulmet erdhën si kundërpërgjigje ndaj një incidenti ku forcat amerikane goditën një tubim civilësh në Iranin jugor, të cilët ishin duke festuar një dasmë. Teherani zyrtar ka thënë se së paku pesë civilë, në mesin e të cilëve një fëmijë, janë vrarë gjatë këtij incidenti dhe ka paralajmëruar goditje të reja.
Shtetet e Bashkuara, nga ana e tyre, thanë se kanë dijeni për raportet për këtë incident dhe se tani janë duke e hetuar atë. Megjithatë, ata shtuan se forcat amerikane kurrë nuk i shënjestrojnë civilët në mënyrë të qëllimshme.























