Serbia drejt zgjedhjeve të parakohshme më 25 tetor, ende pa konfirmim zyrtar
BKT
Rajoni dhe Bota

Serbia drejt zgjedhjeve të parakohshme më 25 tetor, ende pa konfirmim zyrtar

Anamari Repiq, RTK/Beograd

Mediat proqeveritare përmendin 25 tetorin për zgjedhje mirëpo ende pa konfirmim. Pushteti tashmë po zhvillon një fushatë jozyrtare, studentët po përgatisin listën e tyre, ndërsa opozita kërkon rishikimin e regjistrit të votuesve dhe qasje më të barabartë në media.

Serbia mund t’u drejtohet përsëri kutive të votimit më 25 tetor. Mediat pranë pushtetit, tabloidët dhe transmetuesi publik njoftuan sot, pothuajse njëkohësisht, se në këtë datë do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Megjithatë, ende nuk ka konfirmim zyrtar.

Sipas këtyre raportimeve, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet që në ditët e ardhshme, pas propozimit të arsyetuar të Qeverisë, ta shpërndajë Kuvendin dhe t’i shpallë zgjedhjet. Deri në publikimin e këtij teksti nuk ka mbërritur konfirmim nga Presidenca.

Vuçiq kishte paralajmëruar më herët se zgjedhjet mund të mbaheshin në shtator ose tetor, ndërsa në fund të gushtit përmendi si data të mundshme 18 dhe 25 tetorin. Nëse votohet më 25 tetor, zgjedhjet duhet të shpallen më së voni deri më 10 shtator. Ligji parashikon që nga shpallja e zgjedhjeve deri në votim të kalojnë jo më pak se 45 dhe jo më shumë se 60 ditë.

Vuçiq ka paralajmëruar gjithashtu se pas shpalljes së zgjedhjeve do të japë dorëheqje nga posti i presidentit të Republikës. Në garën zgjedhore, siç ka deklaruar, do të hynte si qytetar dhe anëtar i Partisë Përparimtare Serb, dhe do të garon për kryeministër i vendit.

Mundësia e zgjedhjeve të reja vjen pas më shumë se një viti protestash studentore dhe qytetare. Ato nisën pas shembjes së strehës së Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona. Për protestuesit, tragjedia u shndërrua në simbol të korrupsionit, mungesës së përgjegjësisë dhe dobësimit të institucioneve nën pushtetin e Vuçiqit.

Studentët në bllokadë kërkojnë shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. Në të njëjtën kohë, po përgatisin listën e tyre zgjedhore. Edhe pse protestat masive nuk kanë më intensitetin e mëparshëm, studentët vazhdojnë të organizojnë tubime, tribuna dhe takime me qytetarët.

Fushata ende nuk ka nisur zyrtarisht, por në praktikë tashmë po zhvillohet. Përfaqësuesit e pushtetit, me Vuçiqin në krye, pothuajse çdo ditë vizitojnë qytete dhe fshatra, promovojnë projekte shtetërore dhe publike dhe premtojnë rritje të pagave dhe pensioneve.

Partitë opozitare po shqyrtojnë listat zgjedhore, koalicionet e mundshme dhe nëse do të garojnë të vetme apo do ta mbështesin listën studentore. Ato paralajmërojnë se vetëm shpallja e zgjedhjeve nuk mjafton pa rishikimin e regjistrit të votuesve, qasje më të barabartë në media dhe parandalimin e presioneve ndaj votuesve dhe keqpërdorimit të burimeve shtetërore.

Nëse zgjedhjet shpallen brenda afatit të paralajmëruar, Serbia do të hyjë në një fushatë të shkurtër dhe intensive. Votimi do të jetë një përballje e re ndërmjet pushtetit dhe opozitës, por edhe testi i parë i vërtetë politik për lëvizjen studentore, nëse mbështetjen e fituar në rrugë mund ta shndërrojë në vota dhe ta sfidojë dominimin shumëvjeçar të Partisë Përparimtare Serbe.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota