Dyshohet se dhjetëra migrantë kanë humbur jetën në Oqeanin Atlantik
Luan Qorraj / RTK
Autoritetet spanjolle dyshojnë se dhjetëra migrantë kanë humbur jetën në Oqeanin Atlantik, pasi zbuluan një anije e cila kishte kaluar më shumë se një muaj në det të hapur.
Autoritetet spanjolle kanë thënë se druajnë që së paku 88 migrantë kanë humbur jetën në Atlantik, pasi në afërsi të Ishujve Kanari zbuluan një anije me 44 të mbijetuar, të cilët kishin kaluar më shumë se një muaj në det të hapur.
Sipas njoftimeve, anija ishte nisur nga Gambia para 27 ditësh, por, për shkak të një defekti në motor, anija mbeti duke lundruar në oqean, duke i lënë migrantët në mëshirë të elementeve. Organizatat humanitare thonë se besojnë që në anije, në kohën e nisjes, gjendeshin së paku 122 persona, shumica prej të cilëve, në mesin e tyre gra dhe fëmijë, vdiqën gjatë javëve në det.
Rojet bregdetare kanë thënë se, në kohën kur u zbuluan, të mbijetuarit ishin në gjendje të rëndë, pasi kishin kaluar një kohë të gjatë pa ujë dhe ushqim, në temperatura të larta.
Ishujt Kanari janë territor spanjoll afër brigjeve të Afrikës Veriore dhe, sipas organizatave humanitare, për çdo vit, qindra migrantë humbin jetën duke tentuar të arrijnë në to nga shtetet afrikane.























