Witkoff dhe Kushner mbërrijnë në Moskë, Putin urdhëron ndaljen e sulmeve
B. H. | RTKlive
Përfaqësuesit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner kanë mbërritur në Moskë, ku pritet të zhvillojnë bisedime me zyrtarë rusë lidhur me përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Dy të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump kanë mbërritur në aeroportin Vnukovo, ndërsa vizita e tyre zhvillohet në kuadër të një plani amerikan për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës.
Sipas zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar që të mos kryhen sulme ndaj Kievit për tri ditë, duke filluar nga mesnata e 5 shtatorit, në kohën kur pritet të zhvillohet vizita e delegacionit amerikan.
Lajmin e ka bërë të ditur edhe Kirill Dmitriev, këshilltar i Putinit për bashkëpunimin ekonomik me jashtë, i cili publikoi fotografi nga mbërritja e Witkoffit dhe Kushnerit në Moskë, duke i cilësuar ata si “paqebërës”.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se të dërguarit e tij kanë një propozim për t’i dhënë fund luftës. Ai gjithashtu tha se e njeh mirë presidentin Putin dhe se, sipas tij, lideri rus nuk ka ndërmend të sulmojë NATO-n.
Vizita e delegacionit amerikan vjen një ditë pas një sulmi me dron në Kiev, ku sipas autoriteteve ukrainase u godit selia e Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU). Sulmi ka shkaktuar reagim të ashpër nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili ka paralajmëruar kundërpërgjigje.
Bisedimet në Moskë pritet të fokusohen në mundësitë për një marrëveshje paqeje dhe në hapat që mund të ndërmerren për uljen e tensioneve mes Moskës dhe Kievit.























