Meloni vendos rekord, 1 mijë e 413 ditë në krye të qeverisë italiane
BKT
Rajoni dhe Bota

Meloni vendos rekord, 1 mijë e 413 ditë në krye të qeverisë italiane

Bardhyl Bajrami / RTK

Giorgia Meloni ka vendosur rekord për jetëgjatësinë në pushtet në Itali, duke u bërë kryeministrja që ka drejtuar më gjatë të njëjtën qeveri. Më 4 shtator, ajo shënoi 1 mijë e 413 ditë në detyrë, duke kaluar rekordin e qeverisë së dytë të Silvio Berlusconit.

Meloni është kryeministrja e parë grua në historinë e Italisë. Ajo mund të bëhet gjithashtu kryeministrja e parë e Republikës moderne italiane që përfundon një mandat të plotë pesëvjeçar, ndërsa zgjedhjet e ardhshme duhet të mbahen para 22 dhjetorit 2027.

Analistë politikë e kanë vënë në dukje stabilitetin politik të Italisë gjatë qeverisjes së Melonit, në kontrast me paqëndrueshmërinë e shfaqur në disa vende të tjera evropiane.

Meloni e nisi karrierën politike në vitet ‘90, si aktiviste adoleshente e Lëvizjes Sociale Italiane, e themeluar nga mbështetës të mbetur të diktatorit fashist Benito Mussolini. Në vitin 2014, ajo mori drejtimin e partisë Vëllezërit e Italisë.

Për të shënuar rekordin, Meloni udhëtoi në Bari, ku mori pjesë në festivalin e partisë së saj para rreth 10 mijë mbështetësve. Ajo tha se ishte veçanërisht krenare që, pas 1 mijë e 413 ditësh në qeveri, kishte mbështetje edhe më të madhe publike se në ditën e parë të mandatit.

Në Bari u zhvillua edhe një protestë kundër qeverisë, e organizuar nga disa lëvizje dhe shoqata.

Protestuesit marshuan përgjatë bregdetit drejt Bazilikës së Shën Nikollës, por nuk u lejuan të vazhdonin deri në port, siç kishin kërkuar organizatorët.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota