Sot në Serbi varrohet krimineli Mlladiq
BKT
Rajoni dhe Bota

Sot në Serbi varrohet krimineli Mlladiq

Sh.Ç/RTKlive

Trupi i ish-komandantit të ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, është vendosur për homazhe në Kishën e Shën Lukës në Beograd, para varrimit. Njerëzit janë mbledhur pranë kishës për t’i bërë nderimet e fundit.

Patriarku serb Porfirije do të kryejë sot, në orën 12:00, shërbesën mortore për krimineli Ratko Mladiq në Kishën e Apostullit të Shenjtë Luka në Koshutnjak, njoftoi Kisha Ortodokse Serbe. Pas ceremonisë, krimineli Mladiq pritet të varroset në varrezat e Topçiderit, ku prehet edhe vajza e tij, Ana.

Arkivoli me trupin e pajetë ka qenë i ekspozuar që nga ora 7 e mëngjesit në Kishën e Shën Lukës, në lagjen Film City, në kodrën Koshutnjak. Procesioni është planifikuar të arrijë në varrezat Topçider, disa kilometra larg Kishës së Shën Lukës, dhe funerali do të fillojë midis orës 13:30 dhe 14:00, raportojnë mediat në Serbi.

Organizatorët kanë njoftuar gjithashtu për ardhjen e organizuar të njerëzve nga Serbia dhe Republika Srpska, ndërsa në rrjetet sociale janë publikuar njoftime për organizimin e transportit nga disa komuna të Republikës Srpska dhe Malit të Zi për personat që duan të marrin pjesë në varrim.

Varrimi i kriminelit, po zhvillohet në një atmosferë të fortë kritikash ndërkombëtare ndaj mënyrës se si në Serbi po trajtohet figura e një personi të dënuar për disa nga krimet më të rënda të kryera në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

Misioni i OSBE-së në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias kanë shprehur shqetësime serioze në lidhje me transmetimin e drejtpërdrejtë të përkujtimit të kriminelit të dënuar të luftës në Radio Televizionin e Republikës Srpska (RTRS).

Në një deklaratë, OSBE-ja shprehu shqetësim të veçantë sepse folësit vazhdimisht e vlerësuan Ratko Mladiçin gjatë përkujtimit.

Ndërkohë, RTRS ka njoftuar një program mëngjesi me rastin e funeralit të kriminelit të luftës Mladiç.

“Dënimet e tij për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës u mbështetën në apel në vitin 2021, ashtu si edhe dënimi i tij me burgim të përjetshëm. Raportimi mbi ngjarjet me interes legjitim publik është një pjesë thelbësore e lirisë së medias dhe pavarësisë editoriale. Megjithatë, ndërsa raportimi mbi ngjarjet me interes publik bie brenda përgjegjësisë editoriale të medias, fakti që përmbajtja që lavdëron një kriminel të dënuar të luftës iu transmetua publikut të gjerë pa kontekst të përshtatshëm editorial dhe pa iu referuar fakteve të përcaktuara gjyqësorisht është një shqetësim i veçantë. Transmetuesit publikë kanë një përgjegjësi të veçantë për të siguruar raportim gazetaresk të saktë, të paanshëm dhe të kontekstualizuar siç duhet”, tha OSBE-ja.

OSBE-ja kujton se Neni 145a, paragrafi (6) i Kodit Penal të Bosnjës dhe Hercegovinës e bën vepër penale glorifikimin e personave që janë dënuar përfundimisht për krime të tilla.

“Varet nga institucionet kompetente gjyqësore të përcaktojnë nëse transmetimi në fjalë mund të ketë shkelur Kodin Penal. Pavarësisht kësaj, Misioni dhe Përfaqësuesi i bëjnë thirrje Agjencisë Rregullatore të Komunikimeve (CRA) të kryejë një vlerësim të shpejtë dhe të pavarur të këtij raportimi, duke përfshirë pajtueshmërinë e tij me Nenet 4(8), 5 dhe 7 të Kodit të Sjelljes së CRA-së, dhe të përgjigjet në mënyrë proporcionale ndaj çdo shkeljeje të gjetur”, thanë ata.

Ata theksuan se respekti për faktet e vërtetuara gjyqësore dhe dinjitetin e viktimave dhe të mbijetuarve është thelbësor për gazetarinë e përgjegjshme, pajtimin dhe paqen e qëndrueshme në Bosnjë dhe Hercegovinë.

“Prandaj, çdo raportim mediatik mbi funeralin e ardhshëm duhet të jetë i saktë, i kontekstualizuar në mënyrë të përshtatshme dhe në përputhje me standardet profesionale dhe etike të zbatueshme”, përfundoi deklarata.

Ratko Mladiq, ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Srpska, vdiq më 27 gusht, ndërsa ishte duke vuajtur dënimin e përjetshëm në Hagë.

Mladiq ka qenë në burg në Hagë që nga arrestimi dhe ekstradimi i tij në maj të vitit 2011.

Trupi i pajetë i tij u transportua me një aeroplan qeveritar serb të enjten. Arkivoli i kriminelit Mladiq u prit nga anëtarë të Ushtrisë Serbe, të cilët më pas e transportuan atë në Akademinë Mjekësore Ushtarake, ku iu krye autopsia.

Shëndeti i Ratko Mladiqit u përkeqësua ndjeshëm në prill, kur ai pësoi një goditje në tru, e më pas edhe disa të tjera. Familja dhe avokatët e tij i kanë kërkuar vazhdimisht që t’i lejohej të merrte trajtim mjekësor në Serbi, por këto kërkesa janë refuzuar.

Republika e Serbisë i ka dërguar gjithashtu disa letra për lirimin e parakohshëm të Mladiqit për arsye humanitare, me qëllim trajtimin mjekësor në Serbi. Megjithatë, Tribunali i Hagës i ka refuzuar të gjitha këto kërkesa.

Në qershor të vitit 2021, Mladiq u dënua me burgim të përjetshëm për, sipas aktakuzës, krime lufte në Bosnjë dhe Hercegovinë gjatë viteve 1990.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota