Serbia nderon kriminelin Ratko Mlladiq, i pranishëm edhe djali i Vuçiqit
BKT
Rajoni dhe Bota

Serbia nderon kriminelin Ratko Mlladiq, i pranishëm edhe djali i Vuçiqit

B.H./RTKlive

Trupi i pajetë i kriminelit Ratko Mlladiq, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Sërpska, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime lufte gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, është nderuar në kishën e Shën Lukës në Beograd, derisa në ceremoninë mortore të tij po marrin pjesë mijëra qytetarë serbë, por edhe ministra të qeverisë së Serbisë, lideri i koalicionit qeverisës në Republikën Sërpska, Millorad Dodik, djali i presidentit serb Danilo Vuçiq, si dhe ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Bocan-Harçenko.

Shërbesa u drejtua nga patriarku serb Porfirije, së bashku me klerikë të tjerë të Kishës Ortodokse Serbe.

Mlladiqi u dënua më 2017 nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, në periudhën 1992–1995.

Ai u shpall përgjegjës, ndër të tjera, për rolin në gjenocidin e Srebrenicës, ku u vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem boshnjakë, si dhe për rrethimin e Sarajevës.

Mlladiqi vdiq më 27 gusht, në moshën 84-vjeçare, në spitalin e burgut në Hagë, ndërsa ishte duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm.

Ceremonia mortore ka shkaktuar reagime dhe kritika të forta, veçanërisht për shkak të nderimeve që po i bëhen një personi të dënuar për gjenocid.

Profesoresha e Fakultetit Filozofik në Novi Sad, Smiljana Milinkov, e ka cilësuar situatën si “shumë të turpshme dhe dëshpëruese për shoqërinë serbe”.

Ajo ka thënë se qytetarët kanë të drejtë t’i japin lamtumirën kujtdo, por ka ngritur shqetësimin për mungesën e informimit dhe përballjes së shoqërisë serbe me krimet e kryera gjatë luftërave të viteve ’90.

Kritika kanë ardhur edhe nga Shtetet e Bashkuara. Senatorët amerikanë Jeanne Shaheen, Chuck Grassley dhe Keith Self u kanë bërë thirrje autoriteteve në Serbi dhe Republikën Sërpska që të distancohen nga nderimet për Mlladiqin.

Në një deklaratë të përbashkët, ata rikujtuan përgjegjësinë e tij për gjenocidin në Srebrenicë dhe rrethimin e Sarajevës, duke e cilësuar Mlladiqin si “kriminel lufte dhe arkitekt të gjenocidit në Srebrenicë”.

Senatorët amerikanë e kanë cilësuar veçanërisht shqetësuese mundësinë e nderimeve shtetërore dhe ushtarake për Mlladiqin, duke thënë se një veprim i tillë do të ishte “përdhosje e kujtimit të viktimave të tij”.

Ata kanë paralajmëruar se mënyra se si Serbia dhe Republika Sërpska do të përballen me këtë rast do të jetë një test për gatishmërinë e tyre për t’u shkëputur nga e kaluara dhe për të avancuar drejt integrimit evropian dhe euroatlantik.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota