Tensione në Lindjen e Mesme, Iranit dhe Izraelit përballë zhvillimeve të reja
Sh.Ç/RTKlive
Irani ka njoftuar një takim rajonal për sigurinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa Teherani dhe Musakati kanë arritur një marrëveshje për krijimin e përkohshëm të korridoreve detare për transportin tregtar.
Ministria e Jashtme iraniane bëri të ditur se takimi do të zhvillohet në Oman, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Irakut dhe vendeve të Gjirit Persik. Teherani deklaron se mbetet i angazhuar për garantimin e sigurisë së lundrimit në një prej korridoreve më të rëndësishme të transportit energjetik në botë.
Ndërkohë, ushtria izraelite njoftoi shkatërrimin e një sistemi të madh tunelesh të Hezbollahut në Libanin jugor. Sipas autoriteteve izraelite, dy rrugë tunelesh nën kreshtën Ali Taher janë goditur dhe shkatërruar.
Situata mbetet e rënduar edhe në Jemen, ku Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) raporton se më shumë se 46 mijë persona janë zhvendosur që nga përshkallëzimi i luftimeve mes forcave qeveritare dhe rebelëve Huthi. Për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë, organizata ka pezulluar përkohësisht operacionet e saj të lëvizjes.
Në frontin diplomatik, kryeministri indian Narendra Modi zhvilloi bisedë me presidentin iranian Masoud Pezeshkian, ku theksoi rëndësinë e garantimit të lirisë së lundrimit dhe tregtisë, si dhe sigurisë së detarëve. Të dy liderët nënvizuan nevojën për vijimin e përpjekjeve diplomatike për paqe dhe stabilitet në rajon.
Në një zhvillim tjetër, bisedimet e ardhshme mes Izraelit dhe Libanit janë shtyrë për në tetor. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara u kanë kërkuar anijeve cisterna që kalojnë nëpër Hormuz të respektojnë orare të caktuara lundrimi, në kuadër të masave të sigurisë në këtë zonë strategjike.























