Trump: Do të doja ta shihja Irlandën të ribashkuar
BKT
Rajoni dhe Bota

Trump: Do të doja ta shihja Irlandën të ribashkuar

G.K/RTKlive

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se do të donte ta shihte Irlandën të ribashkuar, gjatë vizitës së tij dyditore në këtë vend.

Në një takim me kryeministrin irlandez Micheál Martin në Dublin, Trump tha se do të donte ribashkimin e Republikës së Irlandës me Irlandën e Veriut, e cila është pjesë e Mbretërisë së Bashkuar.

“Unë nuk dua të shkaktoj ndonjë problem, por do të doja ta shihja të bashkuar. Do të ndodhë përfundimisht. Mund të ndodhë edhe tani”, tha Trump.

“Mendoj se do të ishte një gjë fantastike”, shtoi ai, duke theksuar se “Mbretëria e Bashkuar do të ketë diçka për të thënë për këtë, padyshim”.

Marrëveshja e paqes e vitit 1998, në ndërmjetësimin e së cilës Uashingtoni pati rol të rëndësishëm, i dha fund në masë të madhe tri dekadave të dhunës në Irlandën e Veriut, por e la të pazgjidhur statusin përfundimtar të saj.

Marrëveshja parashikon mundësinë e një referendumi për bashkim nëse vlerësohet se shumica e qytetarëve do të votonin në favor të tij.

Kryeministri britanik Andy Burnham ka thënë se nuk do të ketë referendum tjetër për ribashkim nëse nuk ka mbështetje të qartë të shumicës.

“Nuk jam në dijeni se ekziston mbështetje e shumicës së publikut për një referendum tjetër dhe, derisa kjo të ndryshojë, nuk do të ketë një të tillë”, tha Burnham.

Gjatë vizitës, Trump zhvilloi gjithashtu bisedime me presidenten e Irlandës, Catherine Connolly.

Presidenti amerikan kritikoi edhe aleatët evropianë gjatë një konference të përbashkët për media me Martinin, duke folur për tregtinë, energjinë dhe emigracionin.

“E urrej të shoh atë që po ndodh me Evropën. E urrej të shoh atë që po ndodh me tregtinë, energjinë dhe emigracionin”, tha Trump.

Ai i cilësoi gjithashtu marrëdhëniet e Uashingtonit me aleatët evropianë si “zhgënjyese”, pas mosgatishmërisë së shumë vendeve për të ndihmuar në përpjekjet e tij në luftën me Iranin.

Trump tha megjithatë se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbajnë marrëdhënie pune me të gjithë aleatët në Evropë. / Euro News


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota