Macron thërret G7-ën për energjinë, paralajmëron për kërcënimet ruse
BKT
Foto: AP
Rajoni dhe Bota

Macron thërret G7-ën për energjinë, paralajmëron për kërcënimet ruse

G.K/RTKlive

Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar se natyra e kërcënimeve ruse në Evropë po ndryshon, ndërsa ka bërë të ditur se synon të thërrasë një takim të G7-ës kushtuar çështjeve të energjisë.

Sipas Euronews, Macron ka kërkuar një “plan për mbrojtjen e infrastrukturës kritike” përballë asaj që ai i ka quajtur “sulme hibride ruse”.

“Natyra e agresionit dhe kërcënimeve ruse në Evropë po ndryshon”, ka thënë Macron.

Presidenti francez ka dënuar atë që e ka quajtur synim të Rusisë për të “frikësuar” dhe për të “minuar përpjekjet për mbështetjen e ukrainasve”.

“Ne nuk frikësohemi, sepse e dimë se ajo që është në rrezik në Ukrainë është siguria jonë sot dhe nesër”, ka deklaruar ai.

Macron ka theksuar gjithashtu nevojën për të vazhduar dërgimin e mesazheve ndaj Rusisë dhe për të shmangur “hyrjen në një gjendje lufte” me këtë vend.

Sipas Euronews, gjatë takimit në Pallatin Élysée është diskutuar edhe rritja e çmimeve të karburanteve.

Macron ka thënë se rritja e çmimeve “nuk është rezultat i vendimeve të qeverisë”.

Ai ka theksuar se bllokadat në Ngushticën e Hormuzit dhe së fundmi në Ngushticën Bab el-Mandeb “kanë pasoja të drejtpërdrejta në jetën tonë të përditshme”.

Presidenti francez ka kërkuar që shkaqet e rritjes së çmimeve të benzinës të adresohen “përpara se të shpenzohen shuma të mëdha parash”, duke paralajmëruar se kjo do të nënkuptonte “ose një deficit më të madh, ose taksa më të larta”.

Macron ka njoftuar se synon të thërrasë një takim të G7-ës për çështjet e energjisë në javët e ardhshme, me synimin për të arritur “një koordinim më të mirë për nivelet e rezervave”, raporton Euronews.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota