SHBA do të ndërtojë dy baza ushtarake në Grenlandë
A.B/RTKLive
SHBA-ja, Danimarka dhe Grenlanda kanë nënshkruar një marrëveshje të re të mbrojtjes, e cila i lejon Uashingtonit të ndërtojë dy baza të reja ushtarake në territorin arktik, ndërsa riafirmon sovranitetin e Kopenhagës mbi Grenlandën.
Marrëveshja u nënshkrua në një ceremoni në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Presidenti amerikan Donald Trump tha se SHBA-ja do të nisë menjëherë procesin për krijimin e një pranie të madhe ushtarake në lokacionet e përshtatshme.
Kryeministrja daneze Mette Frederiksen e cilësoi marrëveshjen të mirë për SHBA-në, Danimarkën dhe Grenlandën, si dhe për Evropën dhe NATO-n. Kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, e përshkroi atë si një marrëveshje “fituese për të gjithë”.
Nënshkrimi i marrëveshjes vjen pas më shumë se një viti tensionesh lidhur me të ardhmen e Grenlandës. Trump kishte kërcënuar se do ta “merrte” territorin autonom arktik, duke përmendur shqetësimet e sigurisë kombëtare, pozitën strategjike dhe pasuritë minerare të Grenlandës.
Deklaratat e tij kishin shkaktuar reagime të forta nga banorët e Grenlandës, Danimarka dhe liderë evropianë, të cilët kishin paralajmëruar se ato dëmtonin marrëdhëniet transatlantike, raporton BBC.























