Lituania harton plane evakuimi përballë kërcënimeve nga Rusia
BKT
Rajoni dhe Bota

Lituania harton plane evakuimi përballë kërcënimeve nga Rusia

Flutura Bekqeli /RTK

Kryeministri i Lituanisë, Mindaugas Sinkevičius, ka deklaruar se vendi ka hartuar plane evakuimi për skenarë të ndryshëm të përballjes me kërcënimet nga Rusia, duke theksuar se Lituania nuk do të dorëzohej në rast të një sulmi.

Sinkevičius tha për emisionin “Newsnight” se lituanezët ndihen “të kërcënuar vazhdimisht” nga Rusia, pjesërisht për shkak të hyrjes së dronëve në hapësirën ajrore të vendit.

“Nëse do të sulmoheshim, ne do të kundërpërgjigjemi... do të angazhohemi në luftë”, deklaroi ai.

Kryeministri lituanez tha se autoritetet kanë plane për “skenarë të ndryshëm”, duke përfshirë evakuimin e qytetarëve të moshuar nga qytetet në mënyrë të organizuar, me synim shmangien e bllokimeve të trafikut.

Lituania, anëtare e NATO-s, ndan kufi tokësor me enklavën ruse të Kaliningradit. Sinkevičius tha gjithashtu se Mbretëria e Bashkuar ka nevojë për një “ndryshim mentaliteti” në qasjen ndaj mbrojtjes, duke theksuar se Lituania ndodhet “më pranë kufirit dhe më pranë kërcënimit”.

Deklaratat e tij vijnë një javë pasi avionët luftarakë të NATO-s rrëzuan një dron që kishte hyrë në hapësirën ajrore të Lituanisë. Moska nuk ka komentuar incidentin.

Incursione me dronë janë raportuar gjithnjë e më shpesh në vende të ndryshme evropiane që nga fillimi i pushtimit të plotë rus të Ukrainës. Në maj, banorët e kryeqytetit Vilnius u udhëzuan të strehoheshin pasi u aktivizua një alarm për dronë, ndërsa fluturimet dhe qarkullimi hekurudhor u pezulluan përkohësisht.

Avionët e NATO-s janë ngritur disa herë në ajër këtë vit për të rrëzuar dronë që kanë hyrë në hapësirën ajrore të vendeve baltike, Estonisë dhe Letonisë. Ukraina i ka atribuar disa prej këtyre rasteve luftës elektronike ruse, e cila mund të ndikojë në drejtimin e fluturimit të dronëve ukrainas.

Lituania, Estonia dhe Letonia iu bashkuan NATO-s në vitin 2004 dhe janë pjesë e dispozitës së Nenit 5, sipas së cilës një sulm i armatosur ndaj një anëtari të Aleancës konsiderohet sulm ndaj të gjithë anëtarëve.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota