SHBA fton Putinin në samitin e G20-s në Miami, Rubio: Mundësi për dialog
BKT
Rajoni dhe Bota

SHBA fton Putinin në samitin e G20-s në Miami, Rubio: Mundësi për dialog

V. Th. / RTKLive

Shtetet e Bashkuara e kanë ftuar presidentin rus, Vladimir Putin, të marrë pjesë në samitin e G20-s, i cili pritet të mbahet në dhjetor në Miami të Floridës.

Ftesa është konfirmuar nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili tha se pjesëmarrja e Putinit do t’i mundësonte atij të takohej jo vetëm me presidentin amerikan Donald Trump, por edhe me liderë të tjerë botërorë.

“Ne e kemi ftuar presidentin Putin në G20. Mendojmë se është një mundësi që ai të angazhohet jo vetëm me presidentin, por edhe me liderë të tjerë botërorë”, deklaroi Rubio, raportojnë mediat nderkombtare.

Ai tha se takimi mund të krijojë hapësirë për dialog, duke argumentuar se për zgjidhjen e problemeve është e nevojshme të zhvillohet komunikim edhe me palët me të cilat ekzistojnë mosmarrëveshje.

Rubio, megjithatë, sqaroi se një takim i drejtpërdrejtë mes Trumpit dhe Putinit në kuadër të samitit ende nuk është dakorduar dhe se ftesa nuk nënkupton se një marrëveshje apo takim i tillë është i afërt.

Nga ana tjetër, Kremlini ka konfirmuar se e ka pranuar ftesën, por ende nuk ka marrë vendim nëse Putin do të marrë pjesë në samitin e G20-s. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se ftesa vlerësohet dhe se çështja do të shqyrtohet përmes kanaleve përkatëse.

Ftesa vjen në një kohë kur administrata amerikane po përpiqet të avancojë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Rubio ka bërë të ditur gjithashtu se Uashingtoni po diskuton me Moskën dhe Kievin mundësinë e një armëpushimi të kufizuar për sulmet ndaj infrastrukturës energjetike, megjithëse ai ka theksuar se një marrëveshje e tillë nuk do të përbënte zgjidhje të luftës.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota