Mediave të ndaluara nga Trump iu mohua hyrja në Shtëpinë e Bardhë
BKT
Rajoni dhe Bota

Mediave të ndaluara nga Trump iu mohua hyrja në Shtëpinë e Bardhë

Flutura Bekqeli / RTK

Gazetarët e CNN dhe MS NOW thonë se u është mohuar hyrja për të mbuluar një darkë shtetërore në Shtëpinë e Bardhë, pavarësisht se një gjyqtar vendosi që qasja e tyre në ambientet e Shtëpisë së Bardhë duhet të rivendoset

Një gjyqtar federal tha në një vendim se ndalimi i Shtëpisë së Bardhë për tre media - CNN, MS NOW dhe Politico - ka të ngjarë të jetë jokushtetues dhe se administrata duhet t'u lejojë atyre qasje, për momentin. Trump i ndaloi ata javën e kaluar, duke i akuzuar për "lajme të rreme".

Gazetarët e tre mediave u lejuan të hynin përsëri të enjten në mëngjes.

Pastaj në mbrëmje, një gazetar i CNN dhe një producent, si dhe një gazetar i MS NOW thanë se u ishte mohuar hyrja për të mbuluar të ftuarit që mbërrinin për një darkë shtetërore për udhëheqësin kinez Xi Jinping.

Media thanë se kishin paraqitur siç duhet emrat e gazetarëve të tyre për kredencialet për të mbuluar mbërritjet. Ky incident ishte i fundit në një seri ngjarjesh të së enjtes lidhur me ndalimin e hyrjes sëdisa mediave në Shtëpinë e Bardhë. Në vendimin e tij, gjykatësi Timothy Kelly tha se ndalimi i mediave duhet të hiqet përkohësisht sepse "ka të ngjarë të ketë shkelur të drejtat e tyre kushtetuese për proces të rregullt ligjor".

Ai hodhi dyshime mbi pretendimet e Shtëpisë së Bardhë se ndalimi ishte i justifikuar pjesërisht për arsye sigurie kombëtare, duke theksuar se presidenti nuk e përmendi këtë në njoftimin e tij fillestar.

Ai urdhëroi kthimin e menjëhershëm të lejeve të shtypit të mediave dhe ndalimin e zbatimit të ndalimit për 14 ditë. Në një padi gjyqësore të martën, Departamenti Amerikan i Drejtësisë i kishte akuzuar mediat se kërcënonin sigurinë kombëtare me mbulimin e tyre.

Avokatët e qeverisë përmendën histori rreth rezervave të raketave, ndërtimit të sallës së ballove në Shtëpinë e Bardhë dhe konventës së fundit të mesmandatit republikan.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota