Turqi dhe Pakistan në Riad, diskutohet aleancë ushtarake kundër Houthive
BKT
Rajoni dhe Bota

Turqi dhe Pakistan në Riad, diskutohet aleancë ushtarake kundër Houthive

Luan Qorraj /RTK

Krerët ushtarakë të Pakistanit dhe Turqisë kanë udhëtuar për në Riad, ku, së bashku me udhëheqësit ushtarakë sauditë, pritet të diskutojnë mundësinë e një aleance ushtarake kundër Houthive.

Kreu i Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë, gjenerali Selçuk Bayraktaroğlu, dhe kreu i forcave të armatosura të Pakistanit, feldmarshalli Asim Munir, kanë udhëtuar në Riad, me kërkesë të Arabisë Saudite, për të zhvilluar një takim emergjent lidhur me zbatimin e marrëveshjes për mbrojtje të përbashkët me udhëheqësit ushtarakë sauditë.

Takimi është thirrur për shkak të sulmeve të vazhdueshme të Houthive ndaj Arabisë Saudite. Sipas njoftimeve, vetëm gjatë së enjtes kryengritësit jemenas kanë lëshuar dhjetëra dronë, si dhe të paktën gjashtë raketa balistike drejt caqeve në Arabinë Saudite.

Ndërkohë, edhe pse ofensiva e javës së kaluar dështoi, Houthit po vazhdojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll ngushticën e Bab el-Mandebit, përmes së cilës transportohet një pjesë e konsiderueshme e eksporteve saudite të naftës.

Arabia Saudite tashmë ka nisur përgatitjet për operacione të mundshme masive kundër Houthive. Ndërkohë, udhëheqës fetarë të vendit, përfshirë myftiun e madh, u kanë bërë thirrje ushtarëve të jenë të gatshëm të japin jetën në luftën kundër Houthive, të cilët nga udhëheqësia fetare sunite janë cilësuar si “sekt” dhe “femohues”.

Megjithatë, ende nuk është e qartë se në çfarë mase Pakistani dhe Turqia janë të gatshme të ofrojnë ndihmë ushtarake. Të dyja vendet i kanë dënuar sulmet e Houthive ndaj Arabisë Saudite, por asnjëra nuk ka deklaruar se do të ndërhyjë ushtarakisht.

Zyrtarë turq kanë theksuar se marrëveshja për mbrojtje të përbashkët ende nuk është ratifikuar nga Parlamenti në Ankara dhe se Turqia, për momentin, nuk ka obligim ligjor për të ofruar ndihmë ushtarake.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota