Rangnick me fjalë të mira për Kosovën para ndeshjes në Vjenë
F.B/RTKLive
Trajneri i Austrisë, Ralf Rangnick, ka folur në konferencën për media para përballjes me Kosovën, duke vlerësuar lart “Dardanët”.
Rangnick ka theksuar se Austria synon fitoren para tifozëve të saj, por ka paralajmëruar se përballë do të ketë një kundërshtar që duhet marrë seriozisht.
“Duam ta fitojmë ndeshjen e dytë në shtëpi, para tifozëve tanë, në një stadium që do të jetë plot. Kosova është një kundërshtare ndaj së cilës duhet të japim gjithçka. Ne fokusohemi te vetja dhe duhet të paraqitemi mirë. Nëse e bëjmë këtë, kemi shanse të mira për fitore”, deklaroi Rangnick.
Trajneri austriak foli edhe për paraqitjen e Kosovës në ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve, ku “Dardanët” e mposhtën Irlandën 1-0 në “Fadil Vokrri”.
“Kosova e meritoi fitoren ndaj Irlandës dhe ne po përgatitemi për një kundërshtare që synon shumë”, shtoi ai.
Austria dhe Kosova nesër mbrëma nga ora 18:00 në Vjenë, në kuadër të xhiros së dytë të Ligës së Kombeve.
Kujtojmë se të dyja skuadrat e kanë nisur këtë cikël me fitore. Austria triumfoi 3-1 ndaj Izraelit, ndërsa Kosova e mposhti Irlandën 1-0 në Prishtinë.























