Qindra mijëra njerëz presin Papën Leo XIV në Paris
BKT
Rajoni dhe Bota

Qindra mijëra njerëz presin Papën Leo XIV në Paris

Flutura Bekqeli/RTK

Qindra mijëra njerëz janë mbledhur në qendër të Parisit për të përshëndetur Papa Leon XIV, gjatë vizitës së tij katërditore në Francë.

Kreu i Kishës Katolike ka marrë pjesë në një meshë në ambient të hapur, ndërsa turmat e kanë përshëndetur gjatë kalimit të tij përgjatë bulevardit “Champs-Élysées”, pranë Harkut të Triumfit.

Më shumë se gjysmë milioni njerëz pritet të marrin pjesë në këtë ngjarje në qendër të kryeqytetit francez.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili të premten zhvilloi një takim rreth njëorësh me Papën Leo XIV, nuk do të marrë pjesë në meshën e Papës gjatë vizitës së tij në Francë.

Sipas raportimeve, kjo lidhet me respektimin e parimit francez të ndarjes së shtetit nga feja.

Megjithatë, në meshën në “Champs-Élysées” do të jenë të pranishëm bashkëshortja e Macronit, Brigitte Macron, dhe kryeministri francez, Sébastien Lecornu.

Në këtë ngjarje pritet të marrin pjesë edhe disa kandidatë për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

Më herët gjatë së shtunës, Papa Leo XIV vizitoi qendrën “Maison Bakhita”, një organizatë që mbështet refugjatët dhe emigrantët.

Gjatë vizitës, Papa e vlerësoi punën e organizatës, duke thënë se ajo “na fton t’i shohim ata që janë të padukshëm”.

Ai theksoi se është e mundur që njerëzit “të takojmë njëri-tjetrin dhe të jetojmë së bashku me dinjitet e paqe”.

Papa foli gjithashtu për rolin e grave, duke e cilësuar atë si “themelor në ndërtimin e një qytetërimi të dashurisë”.

Gjatë vizitës së tij në Francë, Papa Leo XIV ka paralajmëruar edhe për rreziqet e inteligjencës artificiale.

Në fjalimin e mbajtur të premten para zyrtarëve të Kishës dhe shtetit në Pallatin Élysée, ai paralajmëroi kundër “humbjes së njerëzillëkut tonë mes një parajse makinash”.

Vizita e Papës në Francë do të vazhdojë të dielën në Lurdë, në Pirenej, ku rreth 150 mijë njerëz janë regjistruar për të marrë pjesë në meshën e planifikuar.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota