Bangkok shpallet zonë fatkeqësie, përmbytjet përfshijnë kryeqytetin tajlandez
BKT
Rajoni dhe Bota

Bangkok shpallet zonë fatkeqësie, përmbytjet përfshijnë kryeqytetin tajlandez

Flutura Bekqeli / RTK

Bangkoku është shpallur zonë e prekur nga fatkeqësia, pas reshjeve të dendura që kanë shkaktuar përmbytje në pjesë të mëdha të kryeqytetit të Tajlandës.

Guvernatori i Bangkokut ka shpallur gjendje emergjence në të 50 distriktet e qytetit, pasi rreth 48 orë reshje të dendura shiu kanë përmbytur rrugë dhe kanë shkaktuar vështirësi të mëdha në qarkullim.

Banorëve u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme. Ndërkohë, qytetarët që jetojnë pranë kanaleve janë udhëzuar që sendet me vlerë t’i zhvendosin në katet e sipërme të banesave, për shkak të rrezikut të rritjes së nivelit të ujit.

Reshjet e dendura kanë mbingarkuar sistemin e kullimit të Bangkokut, duke shkaktuar përmbytje dhe kaos në trafik. Shërbimi Meteorologjik i Tajlandës ka paralajmëruar për reshje të tjera të dendura dhe stuhi gjatë fundjavës dhe ditëve në vijim.

Autoritetet shqetësohen se reshjet e vazhdueshme mund të shkaktojnë daljen nga shtrati të kanaleve të tjera në kryeqytet.

Si pjesë e masave emergjente, ushtria ka njoftuar se po ngre qendra strehimi dhe kuzhina të lëvizshme për banorët e prekur. Administrata e qytetit ka caktuar gjithashtu shkollat si vende të përkohshme strehimi.

Sipas autoriteteve, aeroporti kryesor i Bangkokut po funksionon normalisht. Megjithatë, Autoriteti i Turizmit të Tajlandës u ka rekomanduar udhëtarëve që të llogarisin dy deri në tri orë shtesë gjatë lëvizjeve drejt aeroportit, për shkak të vështirësive në trafik.

Stuhitë dhe reshjet janë të zakonshme në Tajlandë gjatë kësaj periudhe të vitit, por intensiteti i motit të ditëve të fundit ka rritur rrezikun për përmbytje të mëtejshme.

Tajlanda është përballur edhe më herët me përmbytje të mëdha. Në nëntor, vendi u godit nga përmbytjet më të rënda në dekada, ku të paktën 145 persona humbën jetën dhe mijëra shtëpi u dëmtuan në provincat jugore.

 


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota