Siria dhe Hezbollahu zhvilluan bisedime sekrete në Turqi
BKT
Rajoni dhe Bota

Siria dhe Hezbollahu zhvilluan bisedime sekrete në Turqi

G.K/RTKlive

Përfaqësues të qeverisë siriane dhe grupit militant libanez Hezbollah kanë zhvilluar bisedime të fshehta në Turqi, në përpjekje për të ulur tensionet mes tyre, raporton Reuters, duke u thirrur në gjashtë burime të informuara për takimin.

Sipas Reuters, në takim morën pjesë përfaqësues të Hezbollahut dhe zyrtarë të inteligjencës dhe Ministrisë së Jashtme siriane, me ftesë të agjencive turke të sigurisë dhe inteligjencës.

Një zyrtar sirian tha se palët ranë dakord se nuk kishin armiqësi ndaj njëra-tjetrës, ndërsa Siria e siguroi Hezbollahun se nuk do të ndërhynte ushtarakisht në Liban për ta çarmatosur grupin.

Nga ana tjetër, zyrtarët sirianë i kërkuan Hezbollahut të ndihmonte në ndalimin e kontrabandës ndërkufitare dhe në shpërbërjen e celulave të tij të mbetura në Siri.

Burimet thanë se nuk u arrit ndonjë marrëveshje përfundimtare.

Pas publikimit të raportimit, Presidenca turke dhe qeveria siriane mohuan se një takim i tillë kishte ndodhur, duke i cilësuar pretendimet si të pabazuara dhe të rreme.

Reuters bëri të ditur se nuk mundi të konfirmonte vendin e saktë të takimit në Turqi, kohëzgjatjen e tij dhe nëse ishin zhvilluar takime të tjera.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota