Mbappe përfshihet në polemikat për ‘Topin e Artë’, përgjigjet me ironi
BKT
Sport

Mbappe përfshihet në polemikat për ‘Topin e Artë’, përgjigjet me ironi

F.B/RTKLive

Polemikat rreth Kylian Mbappe dhe raportit të tij me Real Madridin vazhdojnë të qarkullojnë në mediat spanjolle.

Këtë herë, pretendimet janë ngritur nga gazetari i “Radio Marca”, Javier Tinto, i cili ka folur për një episod të lidhur me garën për ‘Topin e Artë’.

Sipas gazetarit, Mbappe i ka kërkuar Real Madridit që të angazhohej publikisht në mbështetje të kandidaturës së tij për çmimin prestigjioz individual.

“Ajo që më kanë thënë është se, gjatë javës së derbit, Mbappe i kërkoi Real Madridit të përfshihej dhe të bënte fushatë për të në garën për ‘Topin e Artë’”, ka deklaruar Tinto.

Megjithatë, sipas tij, drejtuesit e klubit madrilen nuk e kanë pranuar këtë kërkesë.

“Klubi nuk u dorëzua. Tani e kuptoj më mirë qëndrimin e tyre në fushë gjatë derbit. Nuk është normale të mbetesh me 10 lojtarë dhe të endesh nëpër fushë. Mbappe ishte i zemëruar”, ka shtuar gazetari.

Tinto i është referuar derbit të Madridit ndaj Atletico-s, të cilin Real Madridi e humbi në një ndeshje ku skuadra nuk arriti të tregonte nivelin e pritur.

Por pretendimet nuk u ndalën me kaq. Sipas gazetarit të “Radio Marca”, Mbappé i është drejtuar edhe Zinedine Zidane për të kërkuar mbështetje në garën për ‘Topin e Artë’.

“Me sa duket, ai i kërkoi edhe Zidanes të bënte këtë përpjekje. Natyrisht, Zidane nuk mundi ta bënte, sepse Dembele është gjithashtu kandidat për ‘Topin e Artë’”, tha Tinto, duke e cilësuar situatën si “të mjerueshme”.

Mbappe, megjithatë, nuk ka qëndruar pa reaguar ndaj këtyre pretendimeve. Sulmuesi francez iu përgjigj me ironi postimit të emisionit në Instagram, duke lënë të kuptohet se nuk i merr seriozisht këto raportime.

“Po, mirë, po, dhe unë u grinda edhe me tezen time të madhe”, ka shkruar Mbappe.

Reagimi i tij ka tërhequr menjëherë vëmendjen në rrjetet sociale, ndërsa mbetet për t’u parë nëse pretendimet e gazetarit do të marrin ndonjë konfirmim tjetër nga Real Madridi apo vetë lojtari.