Sulm me thikë në shkollë në Stamboll, një nxënëse e vrarë dhe 7 të plagosura
G.K/RTKlive
Një nxënëse ka humbur jetën dhe shtatë të tjera janë plagosur në një sulm me thikë që ka ndodhur në një shkollë në Bashakshehir të Stambollit.
Sipas Anadolu Agency, sulmin e ka kryer F.M., e lindur në vitin 2011 dhe nxënëse në një shkollë të mesme në Kyçykçekmexhe, e cila kishte shkuar në shkollën “Kajashehir Shejh Shamil Imam Hatip” në lagjen Kajabashi dhe kishte sulmuar me thikë nxënësit në oborrin e shkollës.
Në sulm fillimisht u plagosën tetë nxënës, të cilët u dërguan në spital për trajtim.
Sulmuesja u kap nga sigurimi i shkollës dhe iu dorëzua policisë. Në paraburgim u dërguan edhe nëna dhe babai i saj.
Ministri i Arsimit Kombëtar, Jusuf Tekin, bëri të ditur se njëra nga nxënëset e plagosura kishte humbur jetën.
“Kishim një nxënëse të plagosur rëndë. E humbëm nxënësen tonë. Zoti e mëshiroftë. I shpreh ngushëllimet familjes së saj”, tha Tekin.
Ministria e Brendshme njoftoi se viktima është Eslem Sare Bulut.
“Njëra nga nxënëset tona që po trajtohej, Eslem Sare Bulut, pavarësisht të gjitha ndërhyrjeve, ka ndërruar jetë. Trajtimi i 7 nxënësve të tjerë të plagosur vazhdon”, thuhet në deklaratë.
Sipas Ministrisë, menjëherë pas ngjarjes forcat e sigurisë nisën punën, ndërsa nxënësja që dyshohet se kreu sulmin u kap brenda një kohe të shkurtër dhe ndaj saj nisën procedurat ligjore.
Guvernatori i Stambollit, Davut Gyl, tha se sulmuesja ishte nxënëse në një shkollë tjetër dhe banonte në të njëjtën lagje.
“Ajo hyn brenda me uniformë shkolle dhe i godet fëmijët me thikë pa zgjedhur objektivin”, tha Gyl.
Ministria e Arsimit Kombëtar njoftoi se në shkollë është ndërprerë mësimi për sot dhe nesër, ndërsa kanë nisur edhe hetimet gjyqësore dhe administrative.
Pas ngjarjes është vendosur edhe ndalim publikimi për rastin, ndërsa Prokuroria e Përgjithshme e Kyçykçekmexhes ka nisur hetimet.























