Sulme masive ruse në Ukrainë, të paktën tetë të vrarë
B.H./RTKlive
Të paktën tetë persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga sulmet masive ruse me dronë dhe raketa në Ukrainë gjatë natës së të mërkurës.
Dy persona u vranë në kryeqytetin Kiev, katër në qytetin verior Pryluki, ndërsa dy të tjerë në rajonin qendror të Poltavës, thanë autoritetet ukrainase.
Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, Rusia lëshoi 130 dronë dhe 48 raketa të lundrimit, si dhe raketa balistike. Mbrojtja ajrore ukrainase rrëzoi 161 objektiva.
Sulmet u përqendruan në Kiev dhe Poltava, si dhe në rajonet Dnipropetrovsk në juglindje dhe Harkiv në verilindje.
“Ukraina është goditur sërish nga raketat ruse gjatë gjithë natës”, shkroi në Telegram Dmytro Lubinets, komisioner i Parlamentit të Ukrainës për të drejtat e njeriut.
“Një tjetër natë pa gjumë, një tjetër akt terrori, pas të cilit njerëzit ende duhet të planifikojnë ditën e tyre të punës, pavarësisht gjithçkaje”, shtoi ai.
Në qytetin Pryluki, në rajonin verior të Çernihivit, një raketë ruse goditi një ndërtesë banimi pesëkatëshe.
Autoritetet lokale thanë se të paktën katër persona u vranë në vend dhe rreth 20 të tjerë u plagosën. Ekipet e shpëtimit vazhduan kërkimet, pasi besohet se persona të tjerë mund të kenë mbetur nën rrënoja.
Pamjet e publikuara nga vendi i ngjarjes treguan ekipet e shpëtimit duke nxjerrë njerëz nga rrënojat.
Në Kiev, disa banorë u strehuan në stacionet e metrosë gjatë natës, ndërsa në kryeqytet u dëgjuan disa shpërthime të fuqishme.
Një banore 49-vjeçare e Kievit i tha Reuters se metroja ishte më e sigurt për familjen e saj, pasi jetojnë në katin e nëntë të një ndërtese të lartë.
Autoritetet ukrainase thanë se, përveç dronëve, ndaj Kievit u përdorën edhe raketa balistike.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se forcat ruse kishin kryer një “sulm masiv” ndaj objekteve të industrisë ushtarake në Kiev dhe rajone të tjera të Ukrainës.
Sipas palës ruse, në sulme u përdorën armë me precizitet të lartë të lëshuara nga toka, deti dhe ajri, si dhe dronë.
Ministria pretendoi se ndër objektivat ishin edhe lokacionet ku kompania ukrainase e mbrojtjes Fire Point prodhon dhe ruan raketat e lundrimit Flamingo dhe dronë me rreze të mesme dhe të gjatë veprimi.
Sulmet shkaktuan gjithashtu dëme në një objekt industrial në qytetin juglindor Dnipro, në infrastrukturën e transportit në Zaporizhzhia dhe në ndërtesa banimi në Kremenchuk, sipas autoriteteve rajonale ukrainase.























