Izraeli përkujton viktimat e sulmeve të 7 tetorit
Flutura Bekqeli / RTK
Në mbarë Izraelin po mbahen aktivitete përkujtimore që nisën me një minutë heshtje në nivel kombëtar në orën 06:29 me kohën lokale për të shënuar momentin kur filluan sulmet.
Në Tel Aviv, njerëzit ndaluan makinat e tyre për të nderuar viktimat
Sulmi ndodhi në vendin ku u mbajt festivali muzikor "Nova", ku u vranë 378 persona dhe u morën peng 44 të tjerë. Si përgjigje ndaj sulmeve të 7 tetorit, Izraeli nisi një ofensivë ushtarake në Gaza, gjatë së cilës janë vrarë më shumë se 74,200 njerëz, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi. Ky është përvjetori i parë i sulmeve të 7 tetorit, pa asnjë peng të mbetur në Gaza.
Krahas Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham, edhe liderë të tjerë botërorë kanë shprehur nderimet e tyre në përvjetorin e tretë të ngjarjeve të 7 tetorit. Sulmi i udhëhequr nga Hamasi shënoi një "thyerje të thellë", ka thënë kancelari gjerman Friedrich Merz, derisa presidenti francez Emmanuel Macron ka riafirmuar angazhimin e Francës për "luftimin e antisemitizmit dhe terrorizmit".
"Egërsia dhe terrori i paimagjinueshëm i 7 tetorit nuk duhet të ndodhin kurrë më," ka thënë Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian, duke shtuar se BE-ja "mbetet e gatshme të ndihmojë në shndërrimin e armëpushimit të brishtë në një paqe të qëndrueshme, të bazuar në zgjidhjen me dy shtete".
Po bëhet gati një vit që kur u shpall armëpushimi në Gaza. Hamasi dhe Izraeli ranë dakord ta ndalonin luftën pasi pranuan planin e paqes me 20 pika të presidentit amerikan Donald Trump. Ai përfshinte pezullimin e "të gjitha operacioneve ushtarake, përfshirë bombardimet ajrore dhe ato me artileri".
Por marrëveshja e armëpushimit e ndërmjetësuar nga SHBA-të vitin e kaluar nuk ka arritur të sjellë paqe ose siguri. Pjesa më e madhe e Gazës është në rrënoja, me pothuajse të gjithë popullsinë e zhvendosur për shkak të kushteve të tmerrshme humanitare, ndërsa Izraeli vazhdon të kryejë sulme pothuajse të përditshme. Më shumë se 1 460 njerëz janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza që nga shpallja e armëpushimit, sipas shifrave më të fundit nga Ministria e Shëndetësisë e territorit, e cila drejtohet nga Hamasi.























