Putini mbështet Vuçiqin, studentët kundër sanksioneve
BKT
Rajoni dhe Bota

Putini mbështet Vuçiqin, studentët kundër sanksioneve

Anamiri Repiç|RTK-Beograd

Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit, çështja e marrëdhënieve të ardhshme të Serbisë me Rusinë po rikthehet në qendër të vëmendjes.

Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se shpreson që Aleksandar Vuçiq të bëhet kryeministër, ndërsa Lista Studentore, një nga sfidueset kryesore të pushtetit aktual, ka bërë të ditur se nuk do të vendoste sanksione ndaj Moskës.

Megjithëse aktorët politikë kanë dallime në prioritetet e politikës së jashtme, mbetet e hapur pyetja se sa mund të ndikojë një ndryshim eventual i pushtetit në marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë, Bashkimin Evropian dhe vendet e rajonit.

„Udhëheqja aktuale e Serbisë dhe presidenti deri pak kohë më parë, ndërsa në të ardhmen, shpresoj, edhe kryeministri Aleksandar Vuçiq, ndjek një politikë të përmbajtur, tregon gatishmëri për bashkëpunim me Rusinë dhe ne, natyrisht, e mirëpresim këtë dhe do të përgjigjemi në të njëjtën mënyrë“, deklaroi presidenti rus Vladimir Putin në fillim të tetorit, duke përshëndetur publikisht politikën e deritanishme të Beogradit ndaj Moskës, në prag të zgjedhjeve në Serbi.

Vuçiq, i cili kryeson listën zgjedhore „Aleksandar Vuçiq – Serbia e Bashkuar“ si kandidat për kryeministër, vazhdon të këmbëngulë në ruajtjen e marrëdhënieve me Rusinë dhe Kinën.

Në një nga deklarimet e fundit në rrjetet sociale, më 8 tetor, ai tha se përparimi i ekonomisë serbe është i lidhur ngushtë me marrëdhëniet ndërkombëtare dhe ruajtjen e miqësive tradicionale.

„Pa miqtë kinezë vështirë se do t'ia dilnim, pa miqtë rusë dhe burimet më të lira të energjisë, po ashtu, vështirë se do t'ia dilnim“, deklaroi Vuçiq në një video të publikuar në Instagram, ku tregoi dekoratat që kishte marrë nga presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti kinez Xi Jinping.

Vuçiq theksoi se Serbia duhet të përqendrohet në rritjen dhe zhvillimin ekonomik, duke nënvizuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit me Moskën dhe Pekinin.

Lista Studentore kundër sanksioneve

Megjithatë, çështja e marrëdhënieve me Rusinë nuk lidhet vetëm me politikën e pushtetit aktual. Vëmendje e veçantë po i kushtohet Listës Studentore, e cila, pas gati dy vjetësh protestash kundër korrupsionit dhe për përgjegjësi institucionale, është shndërruar në një nga sfidueset kryesore politike të koalicionit qeverisës.

Studentët kanë deklaruar se, nëse vijnë në pushtet, nuk do të vendosin sanksione ndaj Rusisë, pasi nuk i konsiderojnë ato mënyrë efikase për zgjidhjen e problemeve politike dhe të sigurisë.

Në këtë çështje, qëndrimi i tyre përputhet me politikën që pushteti aktual ndjek prej vitesh. Serbia ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës dhe ka mbështetur integritetin territorial të këtij vendi, por nuk u është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Moskës.

Partia Përparimtare Serbe mbështet vazhdimin e të ashtuquajturës politikë të jashtme shumëvektoriale, e cila nënkupton bashkëpunimin me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke ruajtur njëkohësisht marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën.

Vuçiq e ka përshëndetur qëndrimin e Listës Studentore, duke deklaruar se as qeveria e ardhshme, nëse formohet nga koalicioni i tij, nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

Megjithëse qëndrimi i Listës Studentore për sanksionet përputhet me politikën e pushtetit aktual, analisti politik Dushan Janjiq është i bindur se studentët ruajnë orientimin evropian.

Refuzimin e sanksioneve ndaj Moskës, Janjiq e interpreton edhe si një përllogaritje elektorale, duke pasur parasysh qëndrimet proruse të një pjese të elektoratit dhe faktin se Lista Studentore e ka përqendruar fushatën kryesisht te ndryshimet e brendshme.

„Deklarimi për sanksionet ndaj Rusisë në këtë moment mund të kushtojë shumë vota. Nëse thoni ‘jo’, forconi disponimin prorus, ndërsa nëse thoni ‘po’, shtrohet pyetja se çfarë përfitoni konkretisht. Shumica e qytetarëve të Serbisë vazhdojnë të shfaqin qëndrime të forta proruse. Mendoj se vlerësimi është që tani të mos humbasin vota për një çështje që nuk është tema kryesore e këtyre zgjedhjeve. Detyra kryesore është ajo që studentët e kanë përcaktuar me sloganin ‘Serbia ose mafia’“, thotë Janjiq për RTK-në.

Ndikimi rus shkon përtej marrëdhënieve ndërmjet partive politike

Ndërsa Putin përshëndet politikën e Vuçiqit ndaj Moskës, hulumtimet e mediave të pavarura ruse tregojnë edhe për praninë e personave me lidhje të mundshme me strukturat ruse të inteligjencës në përfaqësitë diplomatike të Rusisë në Serbi.

Sipas hulumtimit të portalit të pavarur rus „Agentstvo“ dhe të dhënave të bazës RUPEP, të paktën 29 nga gjithsej 78 të punësuar në Ambasadën Ruse dhe përfaqësinë tregtare në Serbi kanë lidhje ose lidhje të mundshme me shërbimet ruse të inteligjencës. Për një pjesë të tyre, hulumtuesit përmendin lidhje me Ministrinë ruse të Mbrojtjes dhe shërbimin e inteligjencës ushtarake GRU.

Rusia e shtrin praninë e saj në Serbi edhe përmes lidhjeve kulturore dhe fetare, përfshirë veprimtarinë e Shtëpisë Ruse dhe marrëdhëniet ndërmjet Kishës Ortodokse Ruse dhe asaj Serbe, si dhe përmes mediave RT Balkan dhe Sputnik, të cilat përcjellin qëndrimet zyrtare të Moskës.

Janjiq vlerëson se ndikimi rus në Serbi është shumë më i thellë sesa marrëdhëniet ndërmjet partive politike dhe se një ndryshim eventual i pushtetit nuk do të nënkuptonte automatikisht edhe ndryshimin e marrëdhënieve me Moskën.

„Ndikimi rus në Serbi është jashtëzakonisht i madh dhe nuk kufizohet vetëm te partitë politike. Ai është i pranishëm në polici, ushtri, mes politikanëve, por edhe mes profesorëve dhe njerëzve që kanë ndikim në lëvizjen studentore. Kemi parë edhe narrativën për ‘revolucionin me ngjyra’, ku është përmendur publikisht edhe Shërbimi Federal rus i Sigurisë. Prandaj, ndryshimi i këtij raporti me Rusinë nuk varet vetëm nga Lista Studentore dhe nuk mund të zgjidhet brenda natës. Kjo është çështje e ndryshimit të të gjithë sistemit dhe e orientimit të sigurisë dhe politikës së jashtme të Serbisë“, paralajmëron Janjiq.

Serbia Evropiane kërkon përshpejtimin e integrimeve evropiane

Ndryshe nga pushteti dhe Lista Studentore, koalicioni opozitar „Serbia Evropiane“ i vendos integrimet evropiane në qendër të programit të tij politik dhe angazhohet shprehimisht për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Përfaqësuesit e këtij koalicioni vlerësojnë se politika e deritanishme e balancimit ndërmjet Brukselit, Moskës dhe Pekinit ka ngadalësuar rrugën evropiane të Serbisë dhe e ka larguar atë nga anëtarësimi në BE.

Një nga bartëset e listës, Marinika Tepiq, ka paraqitur një plan sipas të cilit Serbia deri në vitin 2030 duhet të përmbushë standardet e nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Janjiq konsideron se çështja e orientimit të politikës së jashtme të Serbisë do të dalë edhe më shumë në plan të parë pas zgjedhjeve parlamentare, e veçanërisht në prag të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale.

"Zgjedhjet presidenciale lidhen drejtpërdrejt me gjeopolitikën, sigurinë, komunitetin e inteligjencës dhe koordinimin e politikës së jashtme. Presidenti është një institucion shumë i rëndësishëm në procesin e ndryshimit të pushtetit dhe atëherë çështja e orientimit të politikës së jashtme do të shtrohet shumë më qartë“, thotë Janjiq.

Zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, përveç raportit të forcave politike në Serbi, do të nxjerrin në pah edhe çështjen se sa janë të gatshëm aktorët që synojnë formimin e qeverisë së re të ndryshojnë politikën e deritanishme të jashtme.

Për Kosovën dhe pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor, rëndësi të veçantë ka nëse një ndryshim eventual i pushtetit në Beograd do të sillte edhe një qasje tjetër ndaj integrimeve evropiane, bashkëpunimit me Rusinë dhe marrëdhënieve me vendet fqinje, apo nëse, pavarësisht ndryshimit të aktorëve politikë, do të vazhdonte kursi i deritanishëm i politikës së jashtme.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota