Trump emëron Katie Zacharia-n zëdhënëse të re të Shtëpisë së Bardhë
A.B/RTKLive
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se Katie Zacharia do ta pasojë Karoline Leavitt në postin e zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë.
Trump e bëri të ditur përzgjedhjen e saj përmes platformës së tij Truth Social, ku shpesh publikon njoftime politike dhe zyrtare. Zacharia është këshilltare për komunikim në kompaninë Trump Media & Technology Group, e cila operon rrjetin social Truth Social, si dhe komentuese konservatore.
Duke e emëruar, Trump e përshkroi Zacharia-n si një “mbështetëse besnike dhe të shkëlqyer që nga fillimi”.
Në një postim në rrjetin social X, Zacharia falënderoi Trumpin për mundësinë, duke e cilësuar shërbimin në këtë detyrë si “nderin e jetës”.
Ajo tha se synimi i saj do të jetë të komunikojë me qytetarët amerikanë rezultatet dhe arritjet e administratës Trump.
Zacharia ka punuar për një periudhë të shkurtër si zëdhënëse në Departamentin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së dhe ka qenë komentuese në Fox News dhe Newsmax.
Ndërkaq, Karoline Leavitt, e cila mori detyrën në janar të vitit 2025, u largua nga posti në fund të gushtit, duke thënë se dëshironte të kalonte më shumë kohë me fëmijët e saj. Ajo do të nisë punën si bashkëpunëtore televizive në Fox News Channel më 1 nëntor.























