Trump: Pezullimi i sanksioneve ndaj Rusisë synon vazhdimin e negociatave pë paqe
N.M. /RTKlive
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se vendimi për pezullimin e disa sanksioneve ndaj Rusisë synon ta mbajë Moskën në tryezën e negociatave për përfundimin e luftës në Ukrainë.
“Jam në proces të negociimit të paqes në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës”, ka shkruar Trump në platformën e tij Truth Social, duke shtuar se nuk dëshiron të bëjë asgjë që do ta largonte Rusinë nga tryeza e negociatave, raporton BBC.
Trumpi vendosi të premten në mbrëmje të bllokojë zbatimin e një sërë sanksionesh ndaj Rusisë, vetëm dy ditë para se ato të hynin në fuqi. Ky vendim vjen në një kohë kur janë thelluar mosmarrëveshjet mes tij dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Zelensky deklaroi të dielën për NBC News se rreshtimi në anën e presidentit rus, Vladimir Putin, do të ishte një “gabim historik”.
I dërguari rus, Kirill Dmitriev, e cilësoi vendimin e Trumpit si “një moment të rëndësishëm dhe vërtet historik”. Ai tha se sanksionet, të miratuara nga Kongresi amerikan dhe të nënshkruara nga presidenti në shtator, do t’i shkaktonin “dëme serioze” ekonomisë amerikane dhe tregjeve globale.
Ndërkaq, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e përshkroi pezullimin si një pauzë 60-ditore, gjatë së cilës do të analizohet ndikimi i mundshëm i sanksioneve në ekonominë amerikane dhe atë globale.
Në postimin e tij, Trump gjithashtu akuzoi Zelenskyn se “nuk dëshiron t'i japë fund kësaj lufte dhe ndoshta nuk e ka dëshiruar kurrë”, duke shtuar se ai “mund të kishte arritur një marrëveshje më të mirë para dy vjetësh sesa mund ta arrijë tani”.
Zelensky ka kërkuar vazhdimisht përfundimin e luftimeve dhe ka deklaruar se Putini nuk dëshiron paqe, që nga nisja e pushtimit të plotë rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Kievit janë përkeqësuar pas arritjes së një marrëveshjeje të diskutueshme javën e kaluar për importimin e naftës dizel nga Rusia, me synimin për të ulur çmimet e energjisë në SHBA.
Pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare, Rusia ka vazhduar eksportimin e naftës, kryesisht drejt Kinës dhe Indisë, shpesh me çmime të reduktuara. Sipas Qendrës për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër (CREA), Kina merr rreth gjysmën e eksporteve ruse të naftës bruto, ndërsa India rreth 37 për qind.
Duke folur në një samit të Bashkimit Evropian, pas njoftimit të Trumpit për marrëveshjen e importimit të dizelit rus dhe deklaratës së tij se Zelensky ishte “më i vështirë për t'u marrë vesh” sesa Putini, presidenti ukrainas tha se ishte kënaqësi të ishte mes “liderëve të vërtetë”.
Zelensky dhe aleatët evropianë të Ukrainës kanë kritikuar planet e Trumpit për importimin e naftës dizel nga Rusia. Sipas presidentit ukrainas, kjo marrëveshje është e barasvlershme me investimin e SHBA-së në përpjekjet luftarake të Rusisë.
Zelensky ka kërkuar vazhdimisht sanksione më të ashpra për të kufizuar financimin që Moska përdor për luftën. Pas vendimit të fundit të administratës Trump, ai tha se beson se SHBA-ja mund të heqë edhe më shumë sanksione ndaj Rusisë.
Shqetësimet se Trumpi po anon nga Moska janë shtuar edhe pas ndërprerjeve të shërbimit Starlink, sistem satelitor amerikan që përdoret nga Ukraina. Kjo ka vështirësuar aftësinë e Kievit për t'u mbrojtur nga sulmet ruse.























