Gjermania planifikon përgjysmimin e kuotës për punëtorët nga Ballkani Perëndimor
A.B/RTKLive
Mbi 546 mijë shtetas nga Ballkani Perëndimor janë të punësuar në Gjermani, ndërsa Agjencia Federale e Punësimit kërkon që kuota vjetore për punësimin e tyre të mbetet 50 mijë.
Sipas të dhënave të publikuara më 16 tetor, numri i të punësuarve nga vendet e Ballkanit Perëndimor është rritur për 170 mijë gjatë pesë vjetëve të fundit.
Megjithatë, qeveria gjermane synon që nga janari i vitit 2027 ta përgjysmojë kuotën vjetore, nga 50 mijë në 25 mijë persona.
Agjencia Federale e Punësimit kundërshton këtë plan, duke vlerësuar se kuota aktuale nuk ka qenë e mjaftueshme për të përmbushur të gjitha kërkesat as gjatë vitit 2025 dhe se pritet të shterohet edhe këtë vit para përfundimit të tij.
Sipas të dhënave të shtatorit 2026, rreth 287 mijë punëtorë nga Ballkani Perëndimor, ose 53 për qind e të punësuarve nga ky rajon, ushtrojnë profesione të kualifikuara. Rreth 45 për qind e tyre punojnë në sektorë ku ka mungesë të fuqisë punëtore, veçanërisht në ndërtimtari, transport dhe logjistikë, gastronomi dhe kujdes shëndetësor.
Rregullorja për Ballkanin Perëndimor, e zbatuar që nga viti 2016, u mundëson shtetasve të Shqipërisë, Kosovës, Bosnjë e Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë të marrin vizë pune në Gjermani me kushte të lehtësuara. Ajo vlen për kategori të ndryshme punësimi, përfshirë edhe punët që nuk kërkojnë kualifikim profesional.























