Zelensky dhe të dërguarit amerikanë bisedojnë në Oslo
A.B/RTKLive
I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky po zhvillojnë bisedime në Oslo, në një kohë kur marrëdhëniet mes liderit ukrainas dhe presidentit amerikan Donald Trump janë përkeqësuar.
Kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre tha se Zelensky i kishte kërkuar Norvegjisë dhe Finlandës fqinje të organizonin bisedimet me SHBA-në dhe aleatët evropianë, në një moment kritik për Ukrainën.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, më herët i cilësoi si “skandaloze” akuzat se ukrainasit po humbnin jetën për shkak se SHBA-ja po i mohonte Kievit informatat e inteligjencës.
Ai reagoi pasi këshilltari kryesor ushtarak i Zelenskyt, Serhii Beskrestnov, i tha BBC-së se mungesa e paralajmërimeve të besueshme amerikane, përfshirë ato për lëshimin e raketave balistike, po shkaktonte humbje jetësh.
“Kjo duket shumë e çuditshme. Ndonjëherë i marrim këto informacione para sulmit, e herë të tjera jo”, tha Beskrestnov.
Marrëdhëniet mes Kievit dhe Uashingtonit janë përkeqësuar javëve të fundit. Trump ka deklaruar se Ukraina duhet të zgjedhë një president të ri dhe së fundmi ka thënë se “dikush tjetër duhet të negociojë në emër të Ukrainës”.
Zelensky fillimisht u takua me kryeministrin norvegjez dhe presidentin finlandez, Alexander Stubb, para bisedimeve me Witkoffin. Në takim, përmes videolidhjes, mori pjesë edhe Jared Kushner, dhëndri i Trumpit.
Støre tha se synimi i bisedimeve është orientimi i marrëdhënieve drejt një rruge më konstruktive. Ai theksoi se palët dëshirojnë që lufta të përfundojë përmes diplomacisë, me një paqe të qëndrueshme dhe të drejtë, raporton BBC.























