Macron akuzon liderët e huaj për shfrytëzimin politik të trazirave në Francë
BKT
Rajoni dhe Bota

Macron akuzon liderët e huaj për shfrytëzimin politik të trazirave në Francë

Bardhyl Bajrami / RTK

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka akuzuar liderë të huaj se po shfrytëzojnë politikisht protestat e dhunshme në Francë, duke përhapur informacione të rreme dhe video të krijuara me inteligjencë artificiale. Deklaratat e tij vijnë pas trazirave në disa qytete franceze, ku u arrestuan qindra persona dhe u dëmtuan ndërtesa e biznese.

Gjatë një vizite në Katar, Macron kritikoi, pa i përmendur me emër, liderë që sipas tij po bëjnë fushatë elektorale në kurriz të Francës. Ai iu referua deklaratave të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe presidentit amerikan, Donald Trump, të cilët ia atribuuan trazirat imigracionit dhe ekstremizmit islamik. Macron i cilësoi këto pretendime të pavërteta, duke theksuar se nuk ka prova për ndërhyrje të drejtpërdrejtë të huaj në protestat, por se pas tyre ka pasur manipulim të informacionit.

Trazirat shpërthyen pas javësh protestash të studentëve kundër kushteve në shkollat e mesme dhe u zgjeruan me pakënaqësitë për koston e jetesës. Përleshjet mes protestuesve të maskuar dhe policisë, plaçkitjet dhe dëmtimet e pronës u përhapën në rrjetet sociale. Sipas autoriteteve franceze, gati 150 persona janë burgosur dhe më shumë se 800 janë paraqitur para gjykatave. Qeveria pranoi se policia kishte humbur kontrollin gjatë një pjese të dhunës, ndërsa Macron premtoi masa të rrepta ndaj grupeve që i cilësoi nxitëse të trazirave.

Ndërkohë, sipas gazetës britanike Financial Times, rregullatorët e Bashkimit Evropian po shqyrtojnë dyshimet për fushata të huaja dezinformimi lidhur me trazirat në Francë dhe protesta të ngjashme në vende të tjera evropiane. Raportimet përmendin llogari pro-ruse dhe të ekstremit të djathtë, si dhe dyshime për përfshirje të aktorëve nga Irani dhe Algjeria. Studiues të dezinformimit thonë se llogari të lidhura me Rusinë kanë përhapur pamje të dhunës dhe pretendime të rreme për të shtuar kaosin.

BBC Verify identifikoi gjithashtu video të rreme që imitonin pamjen e mediave franceze dhe një imazh të krijuar me inteligjencë artificiale, i cili paraqiste në mënyrë të rreme një çift të moshuarish të grabitur në Paris. Imazhi u shpërnda miliona herë pa paralajmërimin se ishte krijuar me inteligjencë artificiale. Autorja e tij pranoi se imazhi ishte krijuar me ChatGPT dhe tha se i vinte keq që ishte nxjerrë nga konteksti dhe kishte mashtruar përdoruesit.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota