Turqia, Pakistani, Indonezia dhe Katari bashkojnë forcat për prodhime ushtarake
BKT
Rajoni dhe Bota

Turqia, Pakistani, Indonezia dhe Katari bashkojnë forcat për prodhime ushtarake

B.H./RTKlive

Turqia, Pakistani, Katari dhe Indonezia synojnë të thellojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, me fokus në prodhimin e përbashkët të teknologjisë dhe pajisjeve ushtarake.

Ministria e Mbrojtjes e Katarit njoftoi në rrjetin social X se përfaqësuesit e katër vendeve arritën një marrëveshje në Doha.

Sipas burimeve pakistaneze të sigurisë, një nga fushat kryesore të bashkëpunimit do të jetë zhvillimi dhe prodhimi i pajisjeve me kosto më të ulët për t’u mbrojtur nga sulmet me dronë.

Bashkëpunimi pritet të përfshijë gjithashtu teknologjinë ushtarake detare, pajisjet dhe sistemet që përdoren në operacionet në det.

Pakistani mund të kontribuojë me përvojën e tij në përballjen me dronët gjatë konflikteve me Indinë, ndërsa Turqia është shndërruar në një prodhues të rëndësishëm të pajisjeve ushtarake, përfshirë dronët luftarakë dhe sistemet e mbrojtjes.

Sipas vëzhguesve, bashkëpunimi mund të ketë edhe rëndësi strategjike për sigurinë rajonale, në një kohë kur vendet e Gjirit Persik shqyrtojnë mënyrat për të përballuar kërcënimet e mundshme nga Irani.

Ndërkohë, Pakistani, Turqia dhe Arabia Saudite kanë njoftuar së fundmi për një bashkëpunim më të gjerë, i cili përfshin edhe fushën e mbrojtjes.

Megjithatë, deri më tani nuk ka të dhëna se marrëveshja mes Turqisë, Pakistanit, Katarit dhe Indonezisë përfshin krijimin e një aleance të përbashkët ushtarake.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota