Trumpi urdhërohet të dëshmojë nën betim në padinë e BBC-së
BKT
Rajoni dhe Bota

Trumpi urdhërohet të dëshmojë nën betim në padinë e BBC-së

A.B/RTKLive

Në një dokument tjetër të dorëzuar të mërkurën, avokatët e Trumpit thanë se presidenti mund të paraqitet për t’u marrë në pyetje nga 11 deri më 22 janar të vitit të ardhshëm. Ata pretenduan se BBC-ja “gaboi kur deklaroi se presidenti Trump po i shmanget dëshmisë në këtë çështje”.

Padia e Trumpit, e ngritur në Florida, e akuzon BBC-në se e ka redaktuar fjalimin e tij të mbajtur para Kapitolit më 6 janar 2021, në mënyrë “të qëllimshme, keqdashëse dhe mashtruese”.

BBC-ja kërkoi falje për gabimin dhe pranoi se transmetimi krijoi “përshtypjen e gabuar se presidenti Trump kishte bërë thirrje të drejtpërdrejtë për veprime të dhunshme”.

Më pas, transmetuesi kërkoi nga gjykata rrëzimin e padisë, duke argumentuar se programi nuk i plotëson kriteret ligjore për shpifje dhe se nuk ishte i disponueshëm në SHBA.

Në korrik, avokatët e Trumpit pranuan se nuk kishin prova që dokumentari ishte i disponueshëm në SHBA përmes shërbimit me pagesë BritBox të BBC-së, siç kishin pretenduar fillimisht, apo në faqen e BBC-së, BBC Select ose përmes transmetuesve amerikanë.

Trump më pas ra dakord ta tërhiqte padinë kundër BBC Studios, krahut komercial të transmetuesit, pasi BBC-ja argumentoi se kjo kompani “nuk kishte pasur rol në krijimin apo prodhimin e dokumentarit”.

Zakonisht, dëshmitë nën betim jashtë gjykatës zhvillohen në zyrën e një avokati, pa praninë fizike të gjykatësit.

Megjithatë, këto dëshmi kanë peshë ligjore dhe jepen nën betim. Ato regjistrohen fjalë për fjalë nga një stenograf gjyqësor, ndërsa transkriptet mund të përdoren më vonë si prova gjatë gjykimeve, raporton BBC.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota