Nisin protestat në Francë, policia përdor gaz lotsjellës ndaj demonstruesve
G.K/RTKlive
Një valë e re protestash kundër rritjes së kostos së jetesës ka nisur sot në Francë, ndërsa autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë për të shmangur përsëritjen e incidenteve të dhunshme të fundjavës së kaluar.
Sipas Euronews, në qytetin e Lionit, policia ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë rreth 150 protestues, të cilët tentuan të bllokonin një rrugë pranë qendrës së qytetit.
“Policia është shumë e lëvizshme. Ata vijnë dhe i shpërndajnë marshimet para se ato të formohen”, ka thënë për AFP-në një student 21-vjeçar që merrte pjesë në protestë.
Protestat e fundjavës së kaluar u shoqëruan me përleshje të dhunshme në disa qytete franceze, ku u dogjën ndërtesa dhe automjete, ndërsa persona të maskuar thyen xhamat e dyqaneve dhe grabitën mallra.
Sipas Euronews, qeveria franceze ka shtuar masat e sigurisë, ndërsa shumë biznese kanë mbyllur dyqanet ose kanë mbuluar vitrinat për t'u mbrojtur nga dëmtimet e mundshme.
Në Paris, ndryshimi i itinerarit të një proteste të planifikuar ka shkaktuar kundërshtime nga sindikatat dhe politikanët e majtë, të cilët kanë paralajmëruar se vendimi mund të shkaktojë kaos të mëtejshëm.
Ndërkohë, autoritetet po monitorojnë edhe kongresin e partisë së djathtë radikale, Tubimi Kombëtar, në Orléans, ku pritet të mbajnë fjalime Marine Le Pen dhe Jordan Bardella.
Policia ka njoftuar se ka sekuestruar sende që dyshohet se mund të përdoreshin për akte dhune në disa qytete, përfshirë Orléans, Pau, Rennes, Marseille dhe Tours.























